E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH përcakton nëntë tenderat që do të kryhen në QSUT

Lista e plotë me objektin e prokurimeve dhe investimet që do të kryhen në prill. Sa është fondi i përcaktuar për kryerjen e tenderave për pajisjet mjekësore dhe medikamente

Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar nëntë tenderat që do të zhvillohen për QSUT-në gjatë këtij muaji. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan dje se këto tendera do të shërbejnë për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe rikonstruksionin e tre spitaleve në QSUT. MSH-ja ka përcaktuar shumën limit për çdo blerje për pajisjen e spitaleve. Ndërsa spitalet që i janë nënshtruar rikonstruksionit dhe që tashmë do të pajisen me materialet e hotelerisë, janë Spitali i Neurokirurgjisë, Spitali i Pediatrisë dhe Spitali i ri që po ndërtohet në krahë të gjashtëkatëshit. Afati i fundit i kryerjes së tenderave është fundi i këtij muaji. Shuma më e madhe e akorduar për blerje është për blerjen e pajisjeve spitalore për ambientet e brendshme të spitaleve.
Tenderat
Pajisje mjekësore dhe hotelerie për spitalin e ri për ambientet e brendshme. Po kështu, në tenderat e 4-mujorit të parë janë parashikuar të blihen pajisje si akselerator linear, liptotriptor, pajisje mjekësore. Dy spitale të tjera të QSUT-së janë parashikuar që të furnizohen me pajisje hotelerie brenda këtyre muajve. Vitet e fundit mungesa e këtyre pajisjeve është kthyer në një problem të përhershëm. Më me shumë probleme rezultojnë të jetë Spitali i Neurokirurgjisë dhe Pediatria. Godinat e këtyre spitaleve janë në proces rikonstruksion, ndërsa kanë probleme të mëdha me pajisjet e brendshme të hotelerisë; shtretërit, batanijet. Dhomat e tjera kanë qenë dhe janë në gjendje problematike për shtrimin e pacientëve. Tashmë duket se gjendja e tyre do të ndryshojë me blerjen e pajisjeve nga Drejtoria e QSUT-së dhe tenderat e fundit që do të kryhen nga Ministria e Shëndetësisë.
Situata
Pavarësisht kryerjes së herëpashershme të tenderave dhe blerjeve të vogla nëpërmjet firmave farmaceutike kontraktuese të vitit të kaluar, problemet në QSUT vazhdojnë të jenë prezente. Situata në spitale mbetet ende problematike, pasi një pjesë e madhe e medikamenteve mungojnë dhe sistemi i hotelerisë ose pajisjeve spitalore është tepër problematik. Në mjaft spitale të QSUT-së pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë medikamentet, si dhe marrin nga shtëpitë çarçafët dhe batanijet.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›