Shpallen fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Fizikës
Ministria e Arsimit shpall fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Fizikës për nxënësit e shkollave të mesme, të zhvilluar në muajin shkurt. Bazuar në listën e fituesve të klasës XII rezulton që nxënësja e parë fituese është Lorela Cano (55 pikë) me çmimin e parë në shkollën e mesme “Aulona”, Vlorë. Në vendin e dytë renditet Deviol Sardi, me 47 pikë, shkolla e mesme “A. Z. Çajupi”, Tiranë. Ndërsa çmimin e tretë e ka marrë Armil Rako, 43 pikë, shkolla e mesme “Qemal Stafa”, Tiranë. Mes klasave të nënta fitues i çmimit të parë është Ergys Zgura, 48 pikë, shkolla e mesme “Naim Frashëri”, Durrës; Erand Mulla, 48 pikë, renditet në çmimin e dytë shkolla e mesme “Hasan Tahsin”, Sarandë. Për klasat e dhjeta ka fituar çmimin e parë Jeta Limani, 60 pikë, nga shkolla e mesme “Hydajet Lezha”, Lezhë; Viola Kuqi, 35 pikë, me çmimin e dytë shkolla e mesme “At Shtjefën Gjeçovi”, Laç, Kurbin. Ministria e Arsimit, nëpërmjet drejtorive arsimore rajonale, organizon çdo vit pesë olimpiadat kombëtare (në lëndët Matematikë, Informatikë, Fizikë, Biologji dhe Letërsi). Nga këto konkurse çdo vit spikasin dhe nderohen me çmime rreth 150 nxënës të talentuar të moshave nga 14-18 vjeç.
Ministri i Arsimit përkujton heroin e demokracisë, Arben Broci
Heroi i demokracisë, Arben Broci, është përkujtuar dje nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, dhe nga të afërm të tij. Në një ceremoni në shkollën me të njëjtin emër në Tiranë, të pranishmit kanë vendosur buqeta me lule në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, duke e cilësuar Arben Brocin dhe shumë të tjerë si njerëzit që hodhën hapat e parë drejt një Shqipërie të lirë.
2 Prill 2009