E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës përcakton orët mësimore për pedagogët

Pritet firma e ministrit të Arsimit për miratimin e propozimit të Kules. Rektori i UT-së kërkon pagesën e pedagogëve që kryejnë orët shtesë

Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës përcakton orët mësimore për pedagogët që japin mësim në fakultetet e tij. Drejtuesit e Universitetit të Tiranës kanë vendosur që koha javore e punës të jetë jo më pak se 40 orë, kurse koha ditore e punës nuk duhet të jetë më shumë se 8 orë. Pas propozimit të bërë nga rektori i UT-së, Dhori Kule, për lehtësimin e pedagogëve nga ngarkesa mësimore, pritet që ky propozim të miratohet nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja.
Rishikimi
Sipas rektorit të UT-së, Dhori Kule, shumë procese mësimore, si udhëheqja e diplomës, kërkimet shkencore, doktoraturat, të cilat janë plus për stafin pedagogjik, krahas orëve mësimore, nuk kanë pagesa shtesë për profesorët. “Një pjesë jashtëzakonisht e madhe e aktiviteteve që nuk futen në procesin mësimor, por si elemente ndihmëse, demotivojnë realizimin e punëve të rëndësishme të universiteteve qoftë në fushën e edukimit, qoftë në fushën e doktoraturave, në shqyrtimin e tezave”, - ka deklaruar Kule. Gjithashtu, ai ka sqaruar se përpara se ministrit Beja t’i kërkohej rishikimi i udhëzimit, është marrë në shqyrtim analiza e re që kanë bërë këshillat e Universitetit për mbingarkesën e pedagogëve. Rishikimi i ngarkesës mësimore për pedagogët ka qenë një ndër pikat më të debatueshme në mbledhjen e Senatit të UT-së, të mbajtur më datë 27 mars. Pikërisht për këtë arsye, ky senat vendosi që të kthejë mbrapsht për miratim në MASH Statutin e Universitetit të Tiranës. Nëse ministri i Arsimit vendos ta rikthejë sërish Statutin e UT-së për ripunim në Senatin Akademik, për vërejtje nga pikëpamja e ligjshmërisë, atëherë brenda 5 ditëve nga kthimi i statutit, Senati Akademik mblidhet për të shqyrtuar dhe miratuar ndryshimet e propozuara me 2/3 e votave dhe statuti i riparaqitet ministrit për miratim. Nëse krijohet konflikt që nuk zgjidhet më mirëkuptim, UT-ja rezervon të drejtën që me vendim të Senatit Akademik të kundërshtojë sipas rregullave ligjore për aktet administrative.
Mësimdhënia
Mësimdhënia sipas ligjit të Arsimit të Lartë përfshin: zhvillim të leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, si dhe veprimtari për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit të mësimdhënies. Ndërsa mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë, konsideron: zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programeve të studimit. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Nga rregulli përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.

Pushimi vjetor për punonjësit shkencorë
Pushimi vjetor për punonjësit mësimorë shkencorë është 12 ditë pushim i zakonshëm, plus 36 ditë pushim plotësues, sipas përcaktimeve me akte nënligjore. Problemet e tjera lidhur me kohën normale të punës, të punës tej kohës normale e të pushimit, zgjidhen sipas legjislacionit në fuqi dhe kontratës kolektive të nënshkruar sipas ligjit.

Norma mësimore dhe mbingarkesa

Mësimdhënia është detyrim, me së paku 6 orë mësim në javë në auditor për të gjithë personelin akademik. Ngarkesa e plotë për personelin akademik përcaktohet me udhëzim të ministrit të Arsimit. Personeli akademik i njihet e drejta e pagesës së orëve të realizuara mbi normën, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›