E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, shtyhet pa afat publikimi i formularit A2



Shtyhet pa afat publikimi i formularit A2 për pranimet në universitete. Megjithëse sipas rregullores së Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit duhet ta miratonte deri më datën 1 prill këtë formular, ai ende nuk është firmosur nga dikasteri i Arsimit. Të kontaktuar nga gazeta, burime zyrtare nga Ministria e Arsimit (MASH) deklaruan vetëm afatet për plotësimin e formularit A2, pa përmendur asnjë datë se kur do të bëhet publikimi i tij. Burime nga MASH-i shpjegojnë se plotësimi i formularit A2 do të nisë në muajin qershor dhe afati i fundit për dorëzimin e tij është data 30 e po këtij muaji. Duke qenë se duhet ende kohë që maturantët të nisin plotësimin e formularit A2, MASH-i ka “përfituar” për të mos bërë publikimin e tij sipas afateve të shpallura nga vetë Ministria. Ndërsa specialistët që kanë punuar për hartimin e formularit A2 shpjegojnë se ka përfunduar konceptimi i formularit dhe tashmë ai është gati për miratim. Megjithëse për MASH-in kalimi i afatit për miratim nuk përbën asnjë problem, eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se vonesa në publikimin e formularit A2 ka sjellë kaos dhe konfuzion për maturantët. Mjaft prej këtyre të fundit, të gjendur përballë presionit të mbarimit të afatit për dorëzimin e tij e plotësuan atë në mënyrë të gabuar, gjë që u “dogji” edhe vijimin e studimeve në degën e preferuar. Madje jo vetëm kaq, por një vit më parë pati edhe nga ata maturantë që, për arsye të shpërndarjes me vonesë të formularit A2 në shkolla, nuk mundën ta dorëzonin atë në kohë, gjë që i la ata jashtë auditorëve pa marrë pjesë në konkurrim.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›