Ligj për mbrojtjen e bimëve mjekësore eterovajore
Shqipëria pritet të mbrojë me ligj bimët mjekësore eterovajore natyrore, sipas detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare të fushës së mbrojtjes së natyrës, ku vendi ynë është palë. Projektligji “Për mbrojtjen e bimëve mjekësore eterovajore dhe tanifere natyrore” është miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë, në kuadër të përafrimit të legjislacionit mjedisor në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Specialistët e mjedisit sqarojnë se fondi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore, përbëhet nga llojet e nënllojet e bimëve dhe popullatat e tyre, si dhe nga habitatet, tokësore e ujore, ku ato rriten e zhvillohen në gjendje natyrore, si pjesë e rëndësishme e florës së vendit. Ligji i propozuar synon të mbrojë këtë fond, duke zbatuar masa mbrojtëse e administruese tërësore e të veçanta, duke respektuar kërkesat teknike për vjeljen e mbledhjen e tyre, si dhe duke nxitur veprimtaritë për rehabilitimin e kultivimin e tyre. Mbrojtja synohet dhe për llojet e kultivuara nga njeriu në sipërfaqet e fondit të tokave pyjore, kullosore apo bujqësore etj. Specialistët shprehen se ndër masat e mbrojtjes së fondit të këtyre bimëve është dhënia e statusit të veçantë mbrojtës llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje, shmangia e keqtrajtimet e dëmtimet e llojeve gjatë veprimtarive bujqësore etj. Kujdes i veçantë i kushtohet mbrojtjes së llojeve të kërcënuara dhe në rrezik zhdukjeje, të përfshira në listën e kuqe dhe që gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore.
Shkolla e Baletit, nxënësit në mësim pa ngrohje
Nxënësit e Shkollës së Baletit në kryeqytet e zhvillojnë mësimin pa ngrohje. Pesë sallat e ushtrimit fizik në Shkollën e Baletit nuk janë të pajisura me asnjë mjet ngrohës. Megjithëse ditët e fundit temperaturat kanë rënë ndjeshëm, nxënësit zhvillojnë mësim në kushte të papërshtatshme mjedisore. Në mungesë të ngrohjes, të rinjtë thonë se detyrohen të vishen më trashë, por kjo u vështirëson stërvitjen. Ndërsa sipas nëndrejtoreshës së shkollës, Shkolla e Mesme e Baletit ka një sistem ngrohës, por pamundësia për ta vënë në punë ka të bëjë me harxhimin e madh të naftës. Aq më tepër, sipas saj, pesë sallat e baletit që kanë një kurbatorë të madhe i kushtojnë shkollës sasi të mëdha karburanti. Nisur nga ky problem, drejtoria e shkollës i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Arsimit për një zgjidhje, pasi për momentin palestrat nuk mund të ofrojnë ngrohje për nxënësit. Por nxënësit e kësaj shkolle nuk janë të vetmit në vend që po e zhvillojnë mësimin pa ngrohje.
Analfabetizmi, MASH-i: Vetëm 0.87 për qind e fëmijëve e kanë braktisur shkollën gjatë 2008-s
Vetëm 0.87 për qind e fëmijëve, sipas Ministrisë së Arsimit, nuk ka frekuentuar shkollën gjatë vitit 2008. Pas deklaratës së bërë dje nga kryetari i Partisë Socialiste për analfabetizmin, Ministria e Arsimit ka reaguar duke sqaruar se statistikat për vitin shkollor 2007-2008 dëshmojnë se vetëm 0.87 për qind e nxënësve nuk kanë frekuentuar arsimin e detyruar. Madje, MASH-i bën të ditur se po punon që edhe kjo shifër të reduktohet në minimum nëpërmjet shumë nismave, siç është projekti “Cilësi dhe barazi në arsim”, dyfishimi i pagave të mësuesve dhe trajnimi i tyre, investime në godinat arsimore, etj. Sipas MASH-it, epoka kur Shqipëria luftonte analfabetizmin është mbyllur prej dekadash. “Shkolla shqiptare sot po realizon projektin e moshës së internetit. Për një kohë shumë të shkurtër, të gjitha shkollat janë pajisur me rreth 15 mijë kompjutera për një mësimdhënie me anën e kabineteve të informatikës dhe laboratorëve virtualë”, - thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.
24 Shkurt 2009