Bashkia mbjell 150 pemë në Rrugën e Barrikadave
Pas rikonstruksionit të plotë të Rrugës së Barrikadave, Ndërmarrja e Punëtorëve Nr. 1 ndërmori nismën për mbjelljen e 150 gështenja dekorative. Këto pemë do të shtojnë gjelbërimin në kryeqytet dhe do t’i japin një pamje të veçantë duke kompletuar infrastrukturën e këtij aksi të rëndësishëm për kryeqytetin. Në këtë proces ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i cili ka kërkuar që kësaj nisme t’u shtohen gjithë qytetarët e Tiranës. “Vendosja e pemëve plotëson të gjitha punimet për rehabilitimin e Rrugës së Barrikadave, i jep një përmasë të gjelbër kësaj rruge të vjetër dhe të re të qytetit tonë, nga ku unë përfitoj nga rasti, të përsëris edhe njëherë thirrjen që të gjithë sipërmarrësit e kryeqytetit t’i bashkohen nismës së Bashkisë ‘Një qytetar, një pem뒔, - u shpreh kryebashkiaku Rama. Gjatë periudhës 1 deri më 11 dhjetor, në rrugët dhe bulevardet e qytetit janë mbjellë qindra drurë dekorative. Pjesë e gjelbërimit janë bërë bulevardet kryesore të kryeqytetit, si bulevardi ”Bajram Curri” me 462 copë dru dekorativë të llojit rrap; ”Zhan d’Ark”, me 50 pemë të llojit rrap; rruga “Kongresi Manastirit” me 163 pemë të llojit gështenjë; rruga “Arkitekt Sinani” me 71 copë pemë të llojit bli; rruga “Llambi Bonata” në Kombinat me 62 copë pemë të llojit gështenjë; lulishtja “Ushtari i panjohur” me 25 copë pemë të llojit manjolë. Përgjatë gjithë këtij muaji, Ndërmarrja e Punëtorëve Nr. 1 e kryeqytetit do të vijojë punën për mbjelljen e rreth 2100 copë drurëve dekorativë të llojeve rrap, manjolë, gështenjë, bli, dafinë etj., nëpër të gjitha akset kryesore të qytetit.
16 Dhjetor 2008