Bashkia ndalon ndërtimin e molit për qeveritarët
Një ndërtim i nisur nga Ministria e Mbrojtjes për një mol të vogël që do t’u shërbejë rezidencave qeveritare në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, është bërë shkas për përplasjen e radhës mes bashkisë së qytetit bregdetar dhe pushtetit qendror. Ndërtimi i molit ka nisur ditën e martë, kur janë hedhur bazamentet prej betoni. Por dje në mëngjes, në vendin ku kryheshin punimet, është paraqitur një patrullë e Policisë Bashkiake të Vlorës, me një urdhër të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Vlorës, hapësira në fjalë është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, por për ndërtimin e nisur askush nuk ka marrë leje nga autoritetet vendore dhe për këtë arsye ndërtimi konsiderohet i paligjshëm. Kreu i bashkisë ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve, ndërsa pala tjetër është bindur dhe deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, tha për “Shqip” se asnjë ndërtim pa leje nuk do të lejohet në territorin e bashkisë dhe kjo çështje do të ndiqet deri në fund, për të mos lejuar shkeljen e ligjit. Ndërtimi i molit që do të shërbejë për ankorimin e jahteve për llogari të rezidencave qeveritare ka ngecur. Bashkia pret që Ministria e Mbrojtjes të paraqesë një kërkesë zyrtare dhe gjithë dokumentacionin, si çdo subjekt tjetër që kërkon të ndërtojë në qytet.
#