Tahiri: Pa transparencë nuk ka zgjidhje, as zgjedhje
Pa transparencë dhe hetim të plotë, nuk mund të ketë as zgjidhje e as zgjedhje. Ky është konstatimi që bën deputeti socialist i Komisionit të Ligjeve, Saimir Tahiri. Në një intervistë për “Shqip”, ai analizon propozimet e PS-së për zgjidhjen e krizës dhe qëndrimin e mazhorancës në Kuvend.
Zoti Tahiri, janë zhvilluar dy seanca në Komisionin e Ligjeve, ku nismat ligjore të paraqitura nga PS po kalojnë në “sitën” e mazhorancës. Nga ecuria e këtyre dy seancave, a prisni të ketë konsensus në fund të diskutimit?
Në fillim më duhet të sqaroj se nuk janë dy nisma që po shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve, por vetëm një dhe ky është projektligji për disa ndryshime në ligjin bazë për komisionet hetimore të Kuvendit. E theksoj këtë, sepse ky projektligj nuk reflekton vetëm domosdoshmërinë për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por kthen në standard hetimin parlamentar të zgjedhjeve dhe transparencën e plotë për çdo rast e në çdo kohë. Sa i përket diskutimeve në komision, dëshiroj të rezervohem të komentoj, duke qenë se jemi ende në fazën e diskutimeve paraprake. Gjithsesi, dallohet se përtej deklaratave publike të Kryeministrit apo edhe të përfaqësuesve në komision, mazhorancës i mungon vullneti për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit e gjithashtu, për të ndërmarrë ato reforma të domosdoshme pa të cilat çdo proces zgjedhor i ardhshëm do të ishte një fotokopje e këtij që kaluam apo e shumë të tjerëve në këto thuajse 20 vjet demokraci, ku shqiptarët votojnë e pushtetarët numërojnë. Në qoftë se motivi politik i këmbënguljes së mazhorancës për të mos hapur kutitë, është frika se manipulimi dhe vjedhja elektorale do dalin sheshit, atëherë është e arsyeshme të besojmë se po njëlloj, kjo mazhorancë ka të gjithë synimin për të manipuluar dhe vjedhur edhe zgjedhjet e ardhshme. Kjo situatë me këtë mazhorancë kokëfortë e kryeneçe që shkel Kushtetutën, ligjin dhe demokracinë, në qoftë se zgjat ende kështu, jo vetëm që nuk do ta zgjidhë krizën politike dhe institucionale në vend, por do ta thellojë edhe më tej atë.
Megjithatë, pa dashur të paragjykoj, mbetem me shpresë se mazhoranca do të gjejë vullnet të reflektojë për të përmbushur mbi të gjitha aspiratën e qytetarëve për zgjedhje të lira e të ndershme, duke i hapur rrugë një hetimi të plotë e të pakushtëzuar që do të evidentojë në themel parregullsitë e zgjedhjeve e njëkohësisht do të rekomandojë zgjidhjet për të ardhmen.
Mazhoranca këmbëngul në kufizimin e objektit të hetimit, duke u fokusuar gjithmonë te vendimi numër 18 dhe 20 i Gjykatës Kushtetuese. Madje ka dalë në përfundimin se që ato të jenë të pranueshme, duhen sjellë në shtratin kushtetues.
Mazhoranca abuzon dhe keqinterpreton me dashje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është për t’u habitur po të mbajmë parasysh se po kjo mazhorancë ka fabrikuar mbi 20 nisma antikushtetuese të gjetura të tilla nga Gjykata Kushtetuese. Ndaj thirrja për kushtetutshmëri e kësaj mazhorance nuk është e sinqertë, por një përpjekje politike për të fshehur gjurmët e për të ndaluar transparencën. Populli e thotë më thjeshtë atëherë kur hajduti thërret për drejtësi, e madje edhe kapeni hajdutin.
Megjithatë, për të hedhur pak më shumë dritë në mënyrë që për publikun të jetë e qartë, më duhet të sqaroj se mazhoranca e ka pranuar tërësisht objektin e hetimit për sa kohë ka pranuar që zgjedhjet mund dhe duhet të hetohen. Sepse objekt i hetimit që kërkon Partia Socialiste, është hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, me qëllim evidentimin e parregullsive dhe ndreqjen për të ardhmen. Ajo që synon mazhoranca është të kufizojë mjetet hetimore në dispozicion të hetimit parlamentar. Pra e thënë ndryshe, të kthejë në një formalitet aspak të dobishëm çdo komision hetimor parlamentar për zgjedhjet. Hapja e kutive, këqyrja e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore, nuk është objekti i hetimit që po kërkojmë, por është vetëm një nga mjetet hetimore nëpërmjet të cilave do bëhet transparencë mbi procesin zgjedhor. Mjetet hetimore nuk i nënshtrohen diktatit dhe preferencës së mazhorancës, ashtu siç edhe nuk i nënshtrohen kontrollit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Për analogji, do të ishte njëlloj sikur i akuzuari t’i tregonte prokurorisë si dhe ku të hetojë, gjë që nuk mund të ndodhë për sa kohë që shteti ligjor është parimi e jo përjashtimi. Në këtë rast, hapja e kutive është tërësisht procedurë e ligjshme përderisa nuk ndalohet nga asnjë dispozitë ligjore në fuqi. Këtë, mazhoranca dhe ekspertët e saj e dinë shumë mirë, ndaj besoj se nuk është Kushtetuta që e ndalon hetimin parlamentar të zgjedhjeve dhe transparencën, por vullneti politik i Kryeministrit dhe mazhorancës, që në këtë rast duket se mungon.
Mazhoranca ka njoftuar se nesër do të sjellë një sërë amendamentesh për nismat ligjore. çfarë prisni të ofrohet para jush dhe a jeni të gatshëm të diskutoni mbi to apo i mbeteni versionit të përpiluar nga ju?
Ne jemi të gatshëm të marrim në shqyrtim çdo propozim të mazhorancës që nuk e cenon thelbin e nismës së Partisë Socialiste për hetim të plotë e të pakushtëzuar të procesit zgjedhor nëpërmjet hapjes së kutive. Mbetem me shpresë se mazhoranca dhe përfaqësuesit e saj në komision do të gjejnë përgjegjshmërinë e duhur që kërkon jo vetëm momenti i veçantë politik, por edhe domosdoshmëria për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë krizave ciklike që ka prodhuar çdo proces zgjedhor i manipuluar.
Të ndalemi pak te konsensusi. A mendoni se duhet të ketë lëshime nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje të mesme, që të kënaqë të dyja forcat?
Nuk shoh se si mund të gjendet konsensus, kur PS është duke kërkuar vetëm atë që i përket, bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Konsensus mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të bëhet më. Madje, pikërisht pse janë qepur konsensuse të tilla në të kaluarën, të cilat në kohën kur janë përpunuar, janë konsideruar “pajtime të mëdha”, kemi vazhduar po njëlloj me hajdut votash, votim varrezash e të vdekurish, numërim pushtetarësh, e kështu me radhë. Pikërisht për këtë arsye, besoj se jemi në momentin kur kjo parodi zgjedhjesh të montuara duhet të marrë fund një herë e mirë. Mundësia për kompromis ekziston tërësisht nga ana jonë dhe këtë e dëshmuam duke dërguar nismën tonë në Kuvend. Në rast se mazhoranca mbetet e verbër e këtë nuk e kupton, kriza do të thellohet më tej. Një gjë është e sigurt, pa transparencë dhe hetim të plotë, nuk mund të ketë as zgjidhje e as zgjedhje.
#