E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, zjarrfikësi rreh edukatoren e të birit

Sherri në kopshtin nr.2 të qytetit, prokuroria nis procedimin penal në gjendje të lirë për prindin me uniformë

Situata në kopshte dhe konfliktet prindër-edukatore mbërrijnë në prokurori. Një zjarrfikës ka fyer dhe goditur me shuplakë në fytyrë një edukatore të kopshtit, e cila i është drejtuar policisë për ngjarjen dhe ka kërkuar dënimin e tij. Kështu, ndaj një 38-vjeçari nga qyteti i Krujës filluan hetimet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. E dëmtuara është shtetasja V.M. 39 vjeçe me banim në Krujë. E punësuar si edukatore në kopshtin e fëmijëve nr.2 të Krujës, gruaja është bërë objekt i sulmit të një prindi. Raste të kësaj natyre nuk janë të pakta nëpër kopshte. Të pakënaqur nga shërbimi që ofrojnë edukatoret ndaj fëmijëve të tyre në jo pak raste prindërit rebelohen. Reagimi i shtetasit G.P, 38 vjeç me detyrë punonjës në Repartin Zjarrfikës të Krujës e ka kapërcyer cakun duke shkuar deri në goditjen me shpullë të edukatores, një grua e martuar. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se në ngarkim të zjarrfikësit krutan nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Ai akuzohet për goditje për shkak të detyrës në bazë të kallëzimit që ka bërë edukatorja e kopshtit nr.2. Në bazë të denoncimit të saj rezulton se 38-vjeçari i ka shkuar në vendin e punës, rreth orës 10.00 të datës 9 mars dhe e ka ofenduar e më pas goditur me shuplakë në fytyrë megjithëse ajo është përpjekur të japë shpjegimet e saj. çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme organit të akuzës, ndërsa situata të ngjashme nuk janë të rralla. Në jo pak raste prindërit detyrohen të largojnë nga çerdhet dhe kopshtet fëmijët e tyre, pasi shërbimi që u ofrohet lë për të dëshiruar gjë që reflektohet edhe në sjelljen e fëmijëve parashkollorë. Prindër të ndryshëm dëshmojnë për një kujdes të mangët ndaj fëmijëve dhe shpesh dhunë psikologjike ndaj tyre, duke cenuar edhe zhvillimin normal të kësaj moshe. Përpos kësaj, në çerdhet publike të Durrësit ka raste kur kujdesi ndaj fëmijës cenon dhe shëndetin e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›