Vizita në Turqi Topalli takon Gyl dhe Shahin
Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, është pritur dje në Ankara nga Presidenti i Turqisë, Abdulla Gyl, dhe me homologun e saj turk, Mehmet Ali Shahin. Siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, Presidenti Gyl, përshëndeti ecurinë dinamike të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve tona dhe u shpreh se Turqia inkurajon ambicien e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian, sikurse mbështeti fort anëtarësimin e saj në NATO.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pasi shprehu kënaqësinë e vizitës në një vend me lidhje të forta historike dhe miqësore, vlerësoi se këto katër vitet e fundit kanë qenë vitet më vendimtare në historinë e demokracisë. “Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me treguesit ekonomikë më pozitivë, që shmangën prekjen nga kriza financiare botërore, ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave brenda këtij viti dhe ka përfunduar tashmë rreth 95 për qind të pyetësorit të Komisionit Europian, për të fituar statusin e vendit kandidat në BE”.
Lidhur me ecurinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se procesi ka hyrë në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme. Presidenti Gyl u shpreh se Turqia është e vendosur të mbështesë çështjen e pavarësisë së Kosovës Presidenti Gyl dhe Kryetarja e Kuvendit shprehën kënaqësinë e tyre se midis dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe një bashkëpunim në rritje në investime, në shkëmbime tregtare, në fushën ushtarake, në arsim dhe në mjekësi.
#