Zgjedhjet, si hetoi Kuvendi më 2005-n
Teksa Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë më 18 mars për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar të Zgjedhjeve të 28 qershorit “Shqip” risjell objektin e hetimit të një tjetër hetimi parlamentar, atë të 3 korrikut 2005. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më datë 20.10.2005 vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për zbatimin e legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005. Ai u mor në mbështetje të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, me propozimin e një grupi deputetësh. Në vendim thuhet se ngrihet Komisioni Hetimor i Kuvendit për hetimin e zbatimit të legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005. Objekti dhe fusha e veprimit të këtij komisioni hetimor duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cenuar pavarësinë dhe veprimtarinë e organeve të tjera. Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi veprimtarinë juridiksionale të gjykatave. Objekt i hetimit të Komisionit Hetimor Parlamentar është: a) hetimi i akuzave publike për moszbatimin e legjislacionit zgjedhor në zgjedhjet e datës 3 korrik 2005 nga Komisionet e Qendrave të Votimit, Komisionet e Zonave Zgjedhore dhe Grupet e Numërimit të Votave. b) Zbatimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në zbatim të tij, në lidhje me procesin e numërimit të votave për partitë politike dhe koalicionet nga Grupet e Numërimit të Votave, si dhe pasqyrimi i tabelave të rezultateve të grupeve të numërimit në procesverbalin përfundimtar të hartuar nga KZZ-ja. c) përdorimi i certifikatave të lindjes për votim në datën 3 korrik 2005 në Qarkun e Tiranës, në Qarkun e Durrësit dhe në Qarkun e Beratit, si dhe hetimi i akuzave publike për përdorimin e certifikatave false në këto votime. ç) hetimi i rrethanave të nxjerrjes së urdhrit të ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit nr.166, datë 30.12.2004, me nr.5787 prot. “Për kodet e certifikatave të lindjes lëshuar nga zyrat e gjendjes civile” dhe pasojat e tij në procesin zgjedhor. d)aktet e nxjerra nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit lidhur me hartimin e listave të zgjedhësve, procedurat e ndjekura për hartimin e listave të zgjedhësve dhe gjendja e tyre; heqja në mënyrë të qëllimshme e zgjedhësve nga listat e tyre dhe dublikimet. dh) Shkelja e dispozitave ligjore të Kodit Zgjedhor në njësitë e qeverisjes vendore në Kolonjë, Berat, Përmet dhe Skrapar, lidhur me kriterin numerik minimal për caktimin e qendrave të votimit. Tjetër objekt i hetimit ishte e) përdorimi i burimeve të administratës publike gjatë fushatës zgjedhore; rasti i dhënies së tokës në Komunën Ksamil. ë) Përdorimi i dhunës nga bandat e armatosura në zonën zgjedhore nr. 62 Lushnjë, në zonën nr. 90 Gjirokastër dhe në zona të tjera dhe veçanërisht në zonën nr. 37 Tiranë, në të cilën u vra zoti Vathi-vëzhgues i Partisë Demokratike në qendrën e votimit. f) Financimet në kundërshtim dhe në tejkalim të dispozitave ligjore nga kandidatët për deputetë.
#