Të përndjekurit kërkesë Topit për 20 shkurtin
Të përndjekurit i kanë kërkuar Presidentit të Republikës që 20 shkurti, që është përcaktuar si dita e kujtesës, të pasqyrojë më mirë të vërtetën historike të atij momenti. Siç njofton zyra e shtypit e Presidentit, kreu i shtetit, Bamir Topi, priti dje drejtues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të përndjekur politikë protagonistë të 20 shkurtit 1991, takim ky i kërkuar disa ditë më parë nga vetë ata. Gjatë bisedës, të pranishmit midis të cilëve Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Lulzim Braja dhe Sajmir Maloku shprehën mirënjohjen për interesimin që Presidenti i Republikës tregon ndaj shqetësimeve dhe nevojave të të përndjekurve politikë dhe gjithashtu për gatishmërinë e vazhdueshme të tij për takime dhe biseda me përfaqësues kësaj shtrese. Ata e njohën Presidentin Topi me kërkesën e tyre që emërtimi i datës simbol 20 shkurt 1991 të pasqyrojë më mirë anën dhe të vërtetën historike të atij momenti, duke e përkujtuar atë si ditë të shembjes së diktaturës komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist.
#