E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia ndërpret aplikimet për bonusin e qirasë

Tani do të aplikojnë vetëm banorët që do t’u prishen banesat. Rregullat e reja për aplikimin, pritet vendimi i Këshillit Bashkiak

Emanuela Sako
Ndërpriten aplikimet për përfitimin e bonusit të qirasë për të pastrehët në kryeqytet. Bashkia e Tiranës bën të ditur se qytetarët e pastrehë nuk mund të aplikojnë më për të përfituar bonus qiraje deri në një vendim të ri. Përfituesit e vetëm të bonusit të qirasë janë të gjithë ata banorë që u janë prishur shtëpitë nga zbatimi i projekteve të bashkisë. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës sqarojnë se përsa i përket bonusit të qirasë, janë ndërprerë procedurat për aplikimet deri në momentin e miratimit të një sistemi të ri pikëzimi për këtë program.
Bonuset që do të japë Bashkia në këtë periudhë janë për ata banorë që u janë prishur shtëpitë për ndërtimin e rrugëve, apo projekteve të tjera të rëndësishme dhe kanë mbetur të pastrehë. Kjo do miratohet nga Këshilli Bashkiak, jo më si sistem pikëzimi, por thjesht si subvencionim apo ndihmë që jep bashkia.
Projekti
Me miratimin e sistemit të ri të pikëzimit për këtë program do të fillojë lajmërimi për aplikimet për bonusin e qirasë për të gjithë qytetarët që janë të interesuar dhe që iu takon të përfitojnë nga ky subvencionim. Të gjithë banorët që do të përfshihen nga projektet e rregullimit të territorit të Tiranës mund të drejtohen pranë bashkisë, e cila do t’u japë atyre një shumë të caktuar të ardhurash për të përballuar qiratë. Pjesë e përfitimit do të bëhen banorët që do t’u prishen shtëpitë nga projekti i Unazës së Madhe, atyre që do t’u prishen shtëpitë nga projekti për ndryshimin e territorit të Kamzës etj. Rasti i fundit që banorët të cilët mbetën të pastrehë përfituan bonus nga bashkia është rasti i prishjes së ndërtesave pa leje përgjatë Lumit të Lanës, pranë Maternitetit të Ri. Rreth 32 banorë përfituan një shumë mujore, por sipas tyre, paratë e marra çdo muaj ishin të pamjaftueshme për të mundësuar pagesën mujore në shtëpitë me qira që duhet të merrnin.
Ndërtimet
Një ndër projektet më të mëdha të Bashkisë, që pritet të nxjerrë nga banesat mjaft qytetarët, është zbatimi i projektit për Unazën e Madhe. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit, pranë Akademisë së Rendit Publik.
Ndërtimi i Unazës së Madhe pritet të nxjerrë në rrugë mjaft banorë të zonës, të cilët nuk disponojnë dokumentet e pronësisë. Në të gjithë zonën e zbatimit të projektit për Unazën e Madhe janë dhjetëra qytetarë që kanë ngritur bizneset apo kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Banorët janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë ata banorë që nuk kanë asnjë dokument pronësie. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo të banesës do të shpronësohen të gjithë.

MSH, strategji kombëtare për shmangien e tuberkulozit

Autoritetet shëndetësore marrin masa për parandalimin e shfaqjes së sëmundjes së tuberkulozit. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik promovuan prezantuan Strategjinë Kombëtare të Tuberkulozit për vitet 2009-2014. Kjo është strategjia e tretë për tuberkulozin, që lançohet brenda 10 viteve të fundit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, shprehet se do ta mbështesë këtë projekt në mënyrë konstante si nga ana ligjore, ashtu dhe nga ana financiare. Specialistët shprehen se vendi ynë nuk është i rrezikuar nga përhapja e ndonjë epidemie të tuberkulozit, por gjithmonë ekziston frika ndaj tij. Hartimi i strategjisë kombëtare ka për qëllim përmirësimin e dukshëm e kontrollit të tuberkulozit në atë shkallë që ai të mos përbëjë më problem për shëndetin publik. Rezultatet e pritshme deri në fund të vitit 2013 janë më pak se 10 raste në 100 000 banorë në fund të vitit 2013, mbajtje e përqindjes së lartë të suksesit të mjekimit për rastet tuberkulare me sputum pozitiv mbi 90%, ulje dhe mbajtje e mortalitetit nën 0.5%, si dhe zbulim më shumë se 75% i rasteve të reja me tuberkuloz.

Çekia ofron tri bursa për studime “Master” dhe “Doktoraturë”

Çekia ofron tri bursa për shtetasit shqiptarë, për studime të nivelit “Master” ose “Doktoraturë” në universitetet publike çeke, për vitin akademik 2009-2010. Programet e studimit për “Master” ose “Doktoraturë” do të zhvillohen në gjuhën angleze dhe do të jenë në fushat e Bujqësisë, Ekonomisë dhe Biznesit, Informatikës dhe Inxhinierisë Civile. Ministria e Arsimit ka publikuar për të interesuarit mënyrën e aplikimit për të përfituar nga bursat çeke. Për programet e studimit të nivelit “Master” dokumentet duhet të përfshijnë formularin e aplikimit me fotografi; kopjen e noterizuar të diplomës ose të ndonjë dokumenti të ngjashëm që vërteton mbarimin e programit të studimit të nivelit të studimeve të larta; kopjen e noterizuar të suplementit të diplomës ose listën e leksioneve dhe listën e notave. Kurse për programet e studimit për “Doktoraturë” aplikanti duhet të dorëzojë formularin e aplikimit me fotografi, kopjen e noterizuar të diplomës ose të ndonjë dokumenti të ngjashëm që vërteton mbarimin e programit të studimit të nivelit “Master”; kopjen e noterizuar të suplementit të diplomës ose listën e leksioneve dhe listën e notave; listën e botimeve të artikujve të ndryshëm, të përkthyer në anglisht; një përmbledhje të çështjeve profesionale ku aplikanti synon të përqendrohet gjatë studimeve për doktoraturë, e përkthyer në anglisht; temën që mendohet të mbahet dizertacioni. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 9 dhjetor 2008. Mbas dorëzimit të dokumentacionit, aplikantët do të paraqiten pranë Ambasadës Çeke në Tiranë për të zhvilluar një testim lidhur me njohjen e gjuhës angleze.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›