E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ndërtimit, FMN-ja i kërkon qeverisë të subvencionojë sektorin prioritar

Sektori i ndërtimit në 10 muaj ka rënë me 20 për qind. Sipas ndërkombëtarëve, rrezikohet rritja ekonomike

Ervin Koçi

Ngadalësimi i ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti, si dhe parashikimet dhe më të zymta për vitin e ardhshëm, i kanë detyruar ekspertët ndërkombëtarë të Fondit Monetar që të ndalen në sektorë specifikë. Sipas një konkluzioni të dhënë nga FMN-ja në lidhje me sektorët më kyçë të ekonomisë shqiptare, ndërtimi do të jetë një nga sektorët më problematikë vitin e ardhshëm. Për këtë arsye institucioni financiar ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare marrjen e disa masave të menjëhershme për të parandaluar një kolaps të mundshëm në këtë sektor, i cili do të përkthehej në mijëra veta të papunë dhe miliarda lekë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit. Sektori i ndërtimit deri në shtator të këtij viti arriti një nivel të shitjeve rreth 20 për qind më të ulët sesa vitin e shkuar, ndërkohë që rënia u pasqyrua edhe në sasinë e sipërfaqeve të ndërtuara dhe në volumin e punimeve të kryera. Të dhëna zyrtare tregojnë se sektori i ndërtimit ka zvogëluar kontributin e tij në rritjen ekonomike të vendit nga 12 për qind që ishte vitin e kaluar për nëntë muajt e parë të vitit 2007, në rreth 8 për qind gjatë këtij viti (2008).

Shqetësimi

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaruan disa ditë më parë, gjatë takimit që zhvilluan në Tiranë me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe BSH-së, se vendi rrezikon të përgjysmojë rritjen ekonomike dhe kjo më së shumti për shkak të gjendjes së ekonomisë botërore, e cila do të bënte që më pak para të vinin nga emigrantët, të uleshin eksportet shqiptare etj. Sipas ekspertëve të FMN-së, “rënia e ndërtimit në një përqindje të tillë prej 20 përqindësh është një tregues shumë i rëndësishëm për ta bërë më kritik nivelin e pritshëm të rritjes ekonomike”. Sipas tyre, sektori shtetëror ka arritur të kryejë një volum punimesh dhe të shpenzojë një sasi parash në ndërtim më të madhe sesa vitin e kaluar, ndërsa rënia është te biznesi privat. Fakti që rënia në ndërtim i vishet e tëra biznesit privat dëshmon për ekspertët e FMN-së se disa tregues të tjerë kanë rënë, siç janë fuqia blerëse, kostoja e prodhimit, klima për të marrë një leje ndërtimi etj., çka nënkupton fillimin e një krize. Në të vërtetë, të dhëna të Bankës së Shqipërisë thonë se edhe transporti dhe industria e prodhimit me fason janë duke përjetuar momente te këqija. BSH-ja ka qenë që herët e shqetësuar për zhvillimet në sektorin e ndërtimit dhe ka thënë se rënia në atë sektor mund të sjellë dobësim të gjithë ekonomisë pasi edhe sistemi bankar shumicën e kredive aty i ka dhënë. Kjo do të thotë se rëniet në ndërtim mund të çojnë në rritjen e numrit të kredive të këqija.

Kriza

Në të vërtetë, rënia në sektorin e ndërtimit gjatë këtij viti është vijim i rënies së nisur që prej tre vitesh, megjithëse këtë vit ajo është më domethënëse. Të dhënat thonë se, në rast se nuk do të ishte rruga Durrës-Kukës, e cila merr një sasi të madhe parash dhe kryen një volum të madh punimesh, sektori i ndërtimit do të ishte në gjendje më të dobët për sa i takon të dhënave. Numri i lejeve të ndërtimit ka qenë rreth 25 për qind më i ulët, por nuk ka qenë vetëm rënia e numrit të lejeve shkaku i rënies në ndërtim. Çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur me rreth 22 për qind tregojnë të dhënat dhe shitjet e pakta kanë penguar rigjenerimin e fondeve. Çmimet në ndërtim gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë rritur më pak nga sa ato janë rritur nga viti në vit. Kjo është një tjetër shenjë se ky sektor është në vështirësi.

Konstatimet e bëra nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se rënia në ndërtim mund të japë efekt të shpejtë në rënien e rritjes ekonomike të vendit duke qenë se ky sektor është kontribuuesi më i rëndësishëm në ekonominë e vendit, ose është sektori me kontributin më të madh. Në të vërtetë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë thonë se edhe transporti dhe industria e prodhimit me fason janë duke përjetuar momente te këqija. BSH-ja ka qenë që herët e shqetësuar për zhvillimet në sektorin e ndërtimit dhe ka thënë se rënia në atë sektor mund të sjellë dobësim të gjithë ekonomisë pasi edhe sistemi bankar shumicën e kredive aty i ka dhënë. Kjo do të thotë se rëniet në ndërtim mund të çojnë në rritjen e numrit të kredive të këqija.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›