Tregtia, Greqia e para në investime dhe e dyta si partner tregtar me Shqipërinë
"Greqia mban vendin e parë përsa u përket investimeve dhe është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë”. Këtë deklarata e ka bërë dje sekretari i Përgjithshëm i Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke, Nikolaos Tachiaos, gjatë punimeve të Forumit të dytë Ekonomik Greqi-Shqipëri. Sipas tij, “rrjedhimisht është e natyrshme që çështjet e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve të përbëjnë një nga prioritetet tona". Ai ka vijuar më tej se “janë 270 shoqëri me interesa greke që kanë investuar në Shqipëri afërsisht 550 milionë euro në sektorin bankar dhe siguracione, në telekomunikacion, në ndërtim, në transport, në tregun e karburanteve etj”. Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Tachiaos nënvizoi se “sasia e pastër e fondeve greke për ndihmën për përparim që Shqipëria ka marrë nga Greqia gjatë periudhës 2001-2006 arrin në 78.3 milionë euro, ndërsa për vitin 2008, bazuar në të dhënat e deritanishme llogaritet që ndihma për zhvillim të arrijë në 2.6 milionë euro”. Duke e cilësuar krizën financiare globale si një krizë që do të prekë të gjitha vendet, Tachiaos theksoi se, "qeveria greke, nga ana e saj, ka përgatitur një program mbështetjeje të likuiditetit të sektorit financiar në një shumë prej 28 bilionë eurosh, i cili do të votohet këto ditë në Kuvend pas miratimit të Komisionit Europian dhe i cili do të ruajë qarkullimin e parave nga sektori financiar drejt ekonomisë reale". Në këtë kuadër ai shtoi se "rezultatet e këtij plani nuk i interesojnë vetëm Greqisë, por edhe vendeve të Europës Verilindore, në të cilat kanë investuar bankat greke". Ndërsa ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, analizoi krizën financiare duke thënë se, “Shqipëria, si një vend me një ekonomi të vogël, nuk mund të preket në mënyrë direkte”. Ai e cilësoi vendin fqinj si partnerin e dytë tregtar dhe vuri theksin në lehtësimin e procedurave të investimeve industriale dhe turistike për bizneset greke. Greqia është një vend kyç për ekonominë e vendit tonë, ku mbi 40 për qind e emigrantëve aty janë shqiptarë. Edhe në fushën e importeve dhe eksporteve ajo kap një shifër të rëndësishme dhe gjithnjë në rritje.
21 Nentor 2008