Ndryshimet që do të bëhen në Njësinë Bashkiake Nr. 8 në kryeqytet
Bashkia e Tiranës do të bëjë një sërë ndryshimesh në zbatimin e planit rregullues të kryeqytetit, në Njësinë Nr. 8. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, zhvilloi dëgjesat publike për ndarjen e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 8. Në këtë njësi Bashkia e Tiranës ka planifikuar rikualifikimin urban të Unazës ekzistuese, e cila u rikonstruktua së fundi. Rikualifikimi urban i Unazës konsiston në tri projekte të veçanta, që janë: rikualifikimi i fasadave përgjatë Unazës, restaurim dhe lyerje fasadash, si dhe rikualifikimi i disa shesheve ose hapësirave urbane dhe mobilimi urban i saj. Po kështu, ky projekt përfshin edhe trajtimin apo zgjidhjen urbane të hapësirave të mbetura të patrajtuara ose boshllëqet e krijuara midis vijës së fundit të trotuarit dhe vijës kufizuese të pallateve. Njëkohësisht do të trajtohen në mënyrë të veçantë të gjitha ato pjesë trotuari me sipërfaqe më të zgjeruar se trotuari aktual dhe që ndodhen në pozicione të posaçme urbane.
MSH nënshkruan marrëveshje me KE-në për spitalin e Djegie-Plastikës
Pritet rritja e kushteve dhe e cilësisë së shërbimit në Spitalin e Djegie-Plastikës në QSUT. Kjo, falë një marrëveshjeje me KE-në, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve në këtë qendër. Kështu, në prani të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, drejtoreshës së QSUT-së, Gjeorgjina Kuli dhe ambasadorit Lohan, u nënshkrua marrëveshja për realizimin e projektit “Për përmirësimin dhe mbështetjen e Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë. Këshilli i Europës financon projektin në formë granti në shumën 962 000 euro dhe me një kohëzgjatje 16 muaj. Ministrja Godo vuri theksin në qëllimin e këtij projekti, si në përshtatjen e infrastrukturës së reanimacionit të Djegie- Plastikës me standardet europiane duke parashikuar përshtatjen për dhoma të terapisë intensive, dhoma hyperborike dhe dhomë për trajtim hydroterapie.
Reagon MASH-i, studentët e Juridikut mësim te shkolla “Migjeni”
Studentët e Juridikut në Tiranë do ta kryejnë përkohësisht mësimin në shkollën “Migjeni” te Rruga Fortuzi. Drejtoria Arsimore e Tiranës do të vërë në dispozicion të Universitetit të Tiranës për Fakultetin Juridik shkollën “Migjeni”, për aq kohë sa të kryhen të gjitha kërkesat që do të përcaktojë grupi i ekspertëve. Sipas Ministrisë së Arsimit, problemi i pezullimit të mësimit në Fakultetin e Drejtësisë do të zgjidhet së shpejti. Ky është reagimi i bërë vetëm dje nga Ministria e Arsimit për pezullimin e mësimit jo vetëm në Fakultetin Juridik, por edhe në atë të Shkencave Sociale. MASH ka kërkuar ngritjen e një grupi të ri ekspertësh në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të cilët së bashku me përfaqësuesit e MASH-it dhe të Universitetit të Tiranës do të angazhohen menjëherë për të saktësuar veprimet e nevojshme, që zhvillimi i mësimit në godinën e Fakultetit të Drejtësisë të jetë i garantuar.
21 Nentor 2008