Si ta kuptojmë bretkosën e kryqëzuar
I sjell leçitësve këtë artikull - editorial i pafirmosur i të përmuajshmes “Il giornale dell’arte” nëntor 2008 - sepse dëshmon shkëlqyeshëm dhe thjesht çfarë jam munduar të dëshmoj me disa shkrime në gazetën “standard”: ekzistencën e lidhjeve thelbësore, komplementare dhe komprometuese midis artit dhe ekonomisë, veprës artistike dhe veprës ekonomike (mallit), vlerës artistike dhe vlerës monetare, artit dhe kapitalit (mbivlerës) etj. Me shumë marifet, menjëherë poshtë artikullit është faqosur një lajm tepër domethënës, në dukje pa kurrfarë lidhje me temën:
“Këshilli themelues i Museion (Muzeu i artit modern dhe bashkëkohor të Bolcanos) më 27 tetor ka pushuar “në vend” drejtoreshën Corinne Diserens. Vendimi është motivuar nga “situata e vështirë financiare e përcaktuar nga shpenzimet e mëdha të përdorura pa autorizimin e organeve kolegjiale të Museion dhe pa mbështetjen e nevojshme financiare”. Asnjë lidhje, sipas vendimit të muzeut, me polemikat për ekspozimin e “Bretkosës së kryqëzuar” të Martin Kippenberger në Museion deri në 21 shtator në ekspozitën përuruese “Vështrim periferik dhe trup kolektiv”. Drejtori i ri do të emërohet “sa më shpejt që të jetë e mundur””.
Për të sqaruar kuptimin e këtij lajmi të ndarë prej artikullit vetëm nga një vijë e trashë, informoj lexuesit se instalacioni “Bretkosa e kryqëzuar” e Martin Kippenberger (varur në ballë të hyrjes në Museion) paraqet një bretkosë në pozën e shpëtimtarit në kryq, 1 metër e lartë, ngjyrë jeshile kërcitëse e pështirë, llapën nxjerrë jashtë prej ngërçit, në njërën putër të gozhduar mban një krikëll birrë dhe në tjetrën një vezë (përkatësisht simbole të besimtarisë hipokrite dhe ezoterizmit); çmimi i veprës 30 milionë euro. Kjo vepër arti shkaktoi (në shtator të këtij viti) një reagim të ashpër prej partisë së djathtë Alleanza Nazionale dhe opinionit publik katolik.
Edhe pse i vetëdijshëm se nuk shkon fare që shënimi i përkthyesit të dalë më i gjatë se vetë artikulli origjinal, në kushtet e mungesës të një botimi informativ të specializuar për të rejat e botës së artit, marr guximin të zgjatem më tej në përshkrimin e një ngjarje tjetër artistike paralele që dëshmon saktë për shenjat e kohës. Pikërisht në të njëjtat ditë që bënte vaki hataja e falimentimit të superbankës “Lehman Brothers”, gazetat lajmëronin suksesin e jashtëzakonshëm të ankandit të organizuar (15-16 shtator) nga artisti performancë Damien Hirst, i cili mbasi u bë kurator i ekspozitave të të tjerëve dhe më pas edhe të vetes, kuturisi t’i shiste veprat drejtpërdrejt publikut, pa ndërmjetësinë e galerive që zakonisht përlajnë 40-60% të të ardhurave. Fitimi i ankandit në fjalë kapërceu edhe parashikimet më optimiste të specialistëve: në mbyllje të ankandit arka kyçte brenda shifrën e rrumbullak 112 milion stërlina. Në lidhje me hallin e artikullit tonë ia vlen të përmendet që Hirst theu një rekord të ankandit të artit bashkëkohor, duke shitur për 13 milionë euro instalacionin me titull “Viçi i artë”: një buall prej vërteti i ruajtur në formalinë me brirë dhe thundra prej ari safi 18 karat, mbyllur në një akuarium prej qelqi të vendosur mbi një bazament prej mermeri Carrara të latuar në stil klasik (398 x 350 x 167 cm). Shtuar mbi samar që ankandi ishte konceptuar në vetvete si një lloj performance dhe “happening” (d.m.th. arti i vërtetë bëhej ironikisht nëpërmjet aktit të shit-blerjes së veprës së artit), nuk duhet shumë mend për të kuptuar se bëhet fjalë për viçin e artë biblik (simbol i adhurimit të parasë që shkëmben adhurimin ndaj Zotit), për më tepër kësaj radhe konstruktuar dhe adhuruar edhe prej vetë Moisiut modern.
Në çdo shkrim studimor për Hirst përmendet rëndom se ai është trashëgimtar i denjë i veprës së Andy Warhol (dhe ky i fundit gjithashtu trashëgimtar i denjë i Duchamp, mbajtur si autor i ready made ose istalacionit të parë në historinë e artit), eksponenti kryesor i Pop Art, në jetën dhe veprimtarinë e së cilit bën mu ndërlidhja art-ekonomi. Warhol studioi pikturë dhe design në Carnegie Insitute of Technology, vizatoi këpucë, punoi si grafist reklamash, zbukurues vetrinash, sipërmarrës krijimi masiv, zbulues dhe mecenat talentesh artistikë, shpikës prirjesh të reja artistike, stilist dhe organizues aktivitetesh mondane, regjisor dhe prodhues filmash avangard, menaxher grupesh rrok, e sa e sa të tjera akoma. Ky artist total shembullor vuri në jetë një mënyrë të re për të konceptuar krijimin artistik të krahasueshëm me mbarëvajtjen e një ndërmarrje që prodhon në seri, mekanizimit, shpersonalizimit të idesë origjinale prej lloj-lloj asistentësh, me fjalë të tjera zbatoi në art shpikjen fordiste të “montimit zinxhir” (tipike amerikane). Ai krijoi një lloj ofiçine pune kolektive - jo rastësisht pagëzuar me emrin “Factory” (ndërmarrje) - ku kryhej transformimi i artistit, nga romantik që krijon nën frymëzimin individual, në menaxher që organizon dhe drejton një komunitet prodhues. Ja çfarë shkruan në autobiografinë e tij me titull “Filozofia e Andy Warhol”: “Dëshiroj të jem një Business-Man i artit ose një artist i Business. Të jesh i zoti në biznes është forma më magjepse e artit. (…) të bësh para është një art, të punosh është një art, të bësh biznes të hairit është forma më e mirë e artit. (…) arti i biznesit qëndron një shkallë më lart se Arti”. Me gojë të tij pohon (në autobiografi) se kur i binte udha pranë ndonjë kishe, futej brenda për të lutur Zotin që të fitonte sa më tepër para.