Universiteti i Korçës hap degë ekonomike të turizmit
Universiteti i Korçës dhe Bashkia e Pogradecit nënshkruan dje një marrëveshje për hapjen e një dege të ekonomisë së turizmit në këtë qytet, me synimin që në një të ardhme të afërt të krijohet aty një filial i këtij universiteti.
Marrëveshjen e nënshkruan rektori i Universitetit "Fan S. Noli" të Korçës, prof. Gjergji Mero, dhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, dhe pritet që ajo të vihet në zbatim me fillimin e vitit të ri akademik.
"Arritëm një marrëveshje me Bashkinë e Pogradecit për të hapur në këtë qytet një filial të Fakultetit Ekonomik në degën e turizmit, me perspektivë për të çelur dhe një degë të infermierisë", - tha për rektori i Universitetit të Korçës, prof. Gjergji Mero.
Ai sqaroi se Bashkia e Pogradecit ka marrë përsipër të vërë në dispozicion godinën ku do të vendoset dega e turizmit, ndërsa Universiteti i Korçës ka si detyrim në këtë marrëveshje personelin mësimdhënës. Kjo bashki parashikon që godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Pogradecit të përshtatet si mjedis për studentët e degës së turizmit, të cilët fillimisht do të jenë një klasë e vetme.
"Vetë perspektiva e Pogradecit për zhvillimin e turizmit e bën të nevojshme përgatitjen e studentëve në këtë sektor dhe duke u nisur nga kërkesat që kanë të rinjtë pogradecarë për degën e turizmit në Universitetin e Korçës, ne vendosëm të hapim një filial të kësaj dege në qytetin e Pogradecit", - sqaroi rektori Mero.
Ai sqaroi se marrëveshja e arritur sot është vendosur të vihet në zbatim vitin e ardhshëm akademik. Më pas, duke parë ecurinë, ky filial i Universitetit të Korçës mund të zgjerohet në Pogradec edhe me degë të tjera për të cilat ka më shumë kërkesa nga të rinjtë e këtij qyteti dhe fshatrave të tij.