E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pediatri, paraqiten 200 fëmijë në ditë



Virozat gripale

“Numri i pacientëve të vegjël që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Pediatrik të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, arrin ditët e fundit deri në 200 fëmijë”, - bëri të ditur zyra e shtypit pranë QSUT-së.

Sipas të njëjtit burim, pacientët paraqiten me simptoma të stinës, kryesisht temperaturë, rrufë etj. Një pjesë e pacientëve largohen pas marrjes së ndihmës së duhur mjekësore dhe këshillave përkatëse nga mjekët.

Ndërkohë, në shërbimin e kardiologjisë pranë QSUT-së paraqiten rreth 100-120 persona në ditë.

Për shmangien e problemeve shëndetësore, mjekët këshillojnë qytetarët të mbajnë ambientet brenda shtëpive në temperaturë konstante, prindërit të mos veshin fëmijët trashë, të konsumohen sa më shumë lëngje, si dhe të evitohen kontaktet me njerëzit e sëmurë me grip.

Ndërkohë, mënyra më e mirë dhe më kosto efektive për t'u mbrojtur nga gripi, sipas specialistëve të shëndetësisë, konsiderohet marrja e vaksinës antigrip. Nga data 1 tetor e vitit të kaluar të gjitha farmacitë në vend janë furnizuar me vaksinën antigrip. Dy kompani farmaceutike kanë sjellë në tregun shqiptar rreth 70.000 doza vaksinë kundër gripit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›