Kurimet falas, dërgime vetëm në Greqi dhe Turqi
MSH-ja: Kanë nisur aplikimet për të përfituar kurim falas në këto dy vende, përkatësisht, nga 100 persona
Marrëveshjet për kurime falas të pacientëve shqiptarëve jashtë vazhdojnë të mbeten vetëm me dy shtete, Greqinë dhe Turqinë. Nga viti në vit marrëveshjet rinovohen. Edhe këtë vit numri i pranimeve do të jetë i njëjtë me vitet e kaluara. Përkatësisht, 100 persona me Greqinë dhe 100 me Turqinë.
Marrëveshjet
Bazuar në marrëveshjet e nënshkruara me këto dy vende arrihen që të sigurohen edhe kurimet falas në spitalet përkatëse përreth 200 pacientë në vit. Fluksi i lartë i kërkesave ka bërë që vendet të plotësohen para se të mbyllet viti. Kështu, vitin e kaluar Turqia ka mbyllur marrëveshjen në fund të muajit shtator si shkak i plotësimit të numrit të vendosur në marrëveshje. Ndërsa me Greqinë vendet janë plotësuar përkatësisht gjatë gjithë vitit. Me gjithë përpjekjet e ministres Anila Godo për të nënshkruar marrëveshje të reja që të sigurojnë më shumë pacientë të kurohen falas jashtë, këto kanë mbetur thjesht në kuadrin e bisedimeve. Në takimet zyrtare me homologë apo ambasadorë të shteteve të ndryshme, Godo ka arritur të sigurojë vetëm premtime dhe bashkëpunime me letra. Ndërkohë që rasti i fundit, kurimet mjekësore në Iran, ishin më të favorshme. Kështu, përmes një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Iranit sigurohej transplanti i palcës në këtë vend. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se kjo marrëveshje ka mbetur vetëm në letër dhe se nuk ka numër pacientësh që të mund të përfitojnë falas trajtim mjekësor nga ky vend. Me gjithë përpjekjet e MSH-së për të zgjeruar gamën e mundësive për kurimet falas të pacientëve shqiptarë, kjo ende nuk është e mundur. Të paktën edhe për pak kohë kurimet falas do të përfitohen vetëm nga Turqia dhe Greqia për të rriturit, ndërsa për fëmijët në spitalin e Vatikanit “Bambino Xhezu”.
Aplikimet
Për këtë vit kanë nisur aplikimet për kurim falas jashtë shteti. Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë se nga viti i kaluar nuk ka mbetur asnjë vend bosh. Ndërsa për këtë vit aplikimet e reja kanë nisur që në fillim të janarit.
Kështu, të gjithë pacientët që kërkojnë të përfitojnë nga kurimet falas, duhet të dinë përkatësisht dokumentet e domosdoshme. Për të përfituar nga marrëveshja duhet që pacientet të kenë epikrizën nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" si dhe vendimi Komisioni Ndërspitalor QSUT. Këto dy dokumente në rastin kur shkojnë në Turqi duhen të përkthyera dhe të noterizuara në anglisht, ndërsa për rastet që shkojnë në Greqi, të përkthyera dhe të noterizuara në greqisht. Ndërsa për pacientë që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada, janë të nevojshme epikriza nga Qendra Universitare Spitalore "Nënë Tereza"; dokumentacion që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit; garanci bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë). Këto janë dokumente që kërkohen për të lëshuar notën verbale pastaj bashkë me dokumentet e tjera që çdo ambasadë ka, paraqiten për marrjen e vizës.