E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia nis procedurat për aplikim për të përfituar subvencionimin e kredisë



Emanuela Sako

Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave kanë përcaktuar 250 vende për përfitimin e masës së subvencionimit për familjet që aplikojnë për kredi të lehtësuara nga shteti. Ndërkohë që mbeten 193 vende të paplotësuara. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, deri më tani janë 57 aplikantë, ndërsa nuk u pranuan 99 aplikantë. Këta të fundit kishin mangësi në plotësimin e të dhënave të sakta të të ardhurave dhe një pjesë e tyre nuk paraqitën dokumentacionin e plotë. Aktualisht, emrat që janë propozuar nga specialistët e Bashkisë së Tiranës si përfitues, do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme, të ditës së hënë në Këshillin Bashkiak. Ndërkohë për vendet bosh të mbetura nis sërish procedura e aplikimit për të gjithë të interesuarit.
Skema
Nga 156 familje që kanë aplikuar për trajtimin e tyre nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë, vetëm 57 janë përzgjedhur në fazën e parë. Ndërkohë pjesa tjetër, 99 aplikantë, nuk kanë mundur të jenë pjesë e skemës. Nga verifikimet e dokumentacionit të dorëzuar 22 familje nuk përmbushnin kriterin e të ardhurave të përcaktuara nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, të cilat kanë të ardhura më të ulëta se sa kufiri minimal i përcaktuar me ligj. Ndërsa 3 qytetarë nuk rezultojnë si të pastrehë dhe nuk kanë aplikuar sipas parashikimit të ligjit për strehimin. Një qytetar ka në pronësi një banesë në vendin e origjinës dhe 8 qytetarë kalojnë kufirin maksimal të të ardhurave mujore. Specialistët kryen verifikimet dhe dolën në përfundimin se 74 dosje të dorëzuara nga aplikantët kishin mungesa në dokumentacion dhe si rrjedhojë nuk mundën të bëhen pjesë e skemës së përfitimit për kredi të lehtësuara nga shteti.
Kriteret
Kriteret e përzgjedhjes së familjeve që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e kredisë së lehtësuar, janë të njëjta me ato të strehimit social dhe të bonusit të qirasë pranë Bashkisë së Tiranës. Por, në plotësimin e dokumentacionit shënohet edhe kërkesa për programin që aplikantët kërkojnë të trajtohen. Një kriter është që aplikantët nuk duhet të kenë banesë në pronësi dhe të kenë të ardhura mujore brenda një kufiri që është vendosur nga Ministria e Transporteve. Për kategoritë e trajtimit me kredi të lehtësuar, kriter kryesor janë të ardhura mujorë të cilat kanë shifra maksimale dhe minimale që nuk duhen tejkaluar, në të kundërt nuk mund t’u jepet kredia sepse aplikantët ose nuk e meritojnë se kanë të ardhura të larta, ose nuk kanë me se të bëjnë pagesën se kanë të ardhura të ulëta. Prandaj një ndër kriteret e vendosura me ligj, ku mund të përfshihen të gjithë qytetarët apo familjarët që kanë të ardhura mujore në kufijtë e 24 699- 41 292 lekësh, për familjet që përbëhen nga 1 ose 2 persona. Ndërsa për familjet e përbëra nga 2 ose 3 persona, kufiri i të ardhurave duhet të jetë 34 356 deri në 55 348 lekë. Për familjet e përbëra nga 3 deri në 4 persona kufiri i caktuar është në shifrat 44 841- 71 431 lekëve. Për familjet e përbëra nga 4 deri në 6 persona, kufiri duhet të jetë nga 56 569 deri në 90 556 lekë. Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur nga 156 familje, vetëm 57 prej tyre janë propozuar të përzgjidhen, të tjerët janë përjashtuar nga skema e aplikimit për arsye të mospërmbushjes së kritereve.

Kanceri i gjirit, kryhen falas ekzaminimet për Mamografinë
Në një pjesë të klinikave private dhe në Pavijonin Onkologjik në QSUT, vizita e mamografisë për ekzaminimin e kancerit të gjirit do të jetë falas. Kjo bëhet për nxitjen e të gjitha grave që të ushtrojnë kontrolle periodike në spitale për të mbajtur nën kontroll shëndetin e tyre. Muaji tetor është muaji i sensibilizimit, për të luftuar sëmundjen e kancerit të gjirit. Strukturat e shëndetësisë në vendin tonë shprehen të shqetësuar për përhapjen me shpejtësi të kësaj sëmundjeje, e cila çdo vit në vendin tonë shënon rreth 350-400 raste të reja. “Kanceri i gjirit është një problem madhor i shëndetit publik, në të gjithë botën, por sot edhe në Shqipëri. Nga kanceri i gjirit në Shqipëri, çdo vit preken mesatarisht rreth 350-400 femra. Nga kanceri i gjirit nuk përjashtohen as meshkujt, ne fokusohemi përgjithësisht te femrat sepse femrat preken më shpesh”,- shprehet Lumturi Merkuri, mjeke pranë ISHP-së. Specialistët përcaktojnë disa nga faktorët kryesor që ndikojnë për përhapjen e kësaj sëmundjeje, janë mosha, konsumi i alkoolit, apo duhanit. Mjekët thonë se në rast se diagnostikimi i kësaj sëmundjeje kapet në fazë të hershme ajo është e shërueshme. “Me rritjen e moshës, probabiliteti për të pasur një kancer të gjirit rritet. Femrat e shëndosha janë më të predispozuara për tu prekur nga kanceri i gjirit, femrat që pinë cigare, apo alkool, femrat që kanë shumë pak ose aspak aktivitet fizik”,- theksoi Merkuri. Mjekët bëjnë të ditur se një herë në 1-2 vjet, duhet që femrat të bëjnë mamografinë.

Ligji anti-duhan, MSH-ja ngre grupe pune nëpër rrethe
Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP-ja kanë vendosur ngritjen e grupeve të punës, të cilët do të ushtrojnë kontrolle në rrethe për ndalimin e duhanpirjes në ambientet publike. MSH-ja bën të ditur se janë 150 inspektorë sanitarë që do të kryejnë kontrolle në të gjitha ambientet publike në rrethet e vendit, ku çdo ditë kryhen 1000 kontrolle. Vetëm në kryeqytet ka nisur të kryhen kontrolle në 100 deri në 150 subjekte në ditë. Kjo është një nismë e marrë nga MSH-ja për parandalimin e duhanit dhe gjobitjen e subjekteve që nuk respektojnë ligjin. Ligji antiduhan u kthye në qendër të vëmendjes, pak ditë më parë, ku inspektorët sanitarë kryen kontrolle në QSUT dhe kanë marrë masa ndëshkuese ndaj saj. Kontrollet filluan pas deklaratës së bërë nga KE-ja për zbatimin e ligjeve shëndetësore në Shqipëri, ku u evidentua moszbatimi i ligjit anti-duhan. Specialistët sanitarë theksuan se zbatimi i ligjit do të vijojë edhe në ditët në vijim dhe pritet që të ketë kontrolle të rrepta dhe gjoba për të gjitha subjektet që nuk marrin parasysh zbatimin e ligjit. Ligji anti-duhan parashikon gjoba 50 mijë lekë për institucionet publike, si dhe 100 mijë për subjektet private. Ndërkohë që nuk ndëshkon konsumatorët në rast se kapen duke pirë duhan në ambientet publike, por vetëm drejtuesit e subjekteve. Aktualisht duhani pihet në të gjitha ambientet publike, lokale, restorante zyra etj. Por, këtë herë MSH-ja duket e vendosur për të venë në vend funksionimin e ligjit, i cili u cilësua si i dështuar nga vetë specialistët e këtij dikasteri. Miratimi i ligjit anti-duhan, dy vite më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, synonte ndalimin e pirjes së duhanit, që është një ndër shkaktarët kryesorë të mjaft sëmundjeve. Ndërkohë që paraqiti dhe një strategji, që përmbante disa rregulla apo kura për të lënë duhanin. Ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, është miratuar në parlament, në 26 maj të 2006-ës. Inspektorët Drejtorisë së Shëndetit Publik për Tiranën, disa muaj më parë sqaruan se ky ligj për disa kohë ishte ndër më të suksesshmit, pasi që në momentet e para që ka hyrë në fuqi, është respektuar përgjithësisht nga të gjitha subjektet. Por, mosvjelja e gjobave që u vendosën nga inspektorët që ushtrojnë kontrolle, tregoi se ligji ka një handikap. Sipas tyre vjelja nuk u bë në kohë. Ministria e Shëndetësisë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve hartoi disa broshura për të sensibilizuar të duhanpirësit dhe vuri në funksion linja telefonike, por në atë kohë asgjë nuk funksionoi.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›