I penduari rrëfen vrasjen e Avni Gashit dhe të Avni Koldashit
Laureta Ryçi
Adriatik Coli ka vijuar dje dëshminë e tij për disa orë me radhë duke rrëfyer një sërë vrasjesh. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se i penduari ka treguar për tentativën e vrasjes së Lulzim Berishës. Coli ka treguar në dëshminë e tij se për këtë tentativë përgjegjësinë më të madhe e kishte marrë Sardian Sulejmani, një prej të pandehurve të dosjes së bandës së Durrësit. Sakaq, Coli e ka etiketuar Sulejmanin si ekzekutorin me dy plumba të Avni Gashit. Ndërsa për vrasjen e Avni Koldashit ai ka treguar se e ka kryer vetë. Të njëjtat burime sqaruan se Coli, në dëshminë e tij gjatë seancës së djeshme, ka përmendur emra të personave që banojnë në Durrës, të cilët janë përfshirë në aktivitete kriminale.
Dëshmia
Sipas Colit, të gjithë këta persona vazhdojnë të jenë të lirë, pa i dhënë kurrfarë llogarie Drejtësisë shqiptare. Pikërisht këta emra, që nuk janë në dosje, janë bërë shkak për debatet e radhës mes avokatëve dhe prokurorit të çështjes. Burimet shpjeguan se avokati Detar Hysi, që përfaqëson dhe interesat e Sardian Sulejmanit, i ka kërkuar prokurorit të tërheqë dosjen dhe të ribëhet një hetim objektiv ndaj këtyre të pandehurve. Avokati Hysi ka ngritur pretendimin se nuk mund të gjykohen me dy standarde persona që pretendohet të kenë kryer të njëjtin krim. Emrat që nuk ishin përmendur më parë, sipas të penduarit, kishin interes dhe kishin urdhëruar për vrasjen e Lulzim Berishës. Këtë kërkesë nuk e ka pranuar prokurori Anton Martini, i cili është shprehur se dosja tashmë ka nisur të gjykohet dhe është në të drejtën e Prokurorisë të ndërmarrë iniciativa të tjera hetimore në lidhje me dëshmitë e të penduarit. Seanca ka vijuar deri në orën 14:30 dhe në fund është caktuar që seanca e radhës të jetë ditën e hënë. Në këtë seancë pritet të vijojë sërish me dëshminë e tij i penduari Adriatik Coli. Procesi për bandën e Durrësit po zhvillohet prej disa seancash me dyer të mbyllura.
Procesi
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime të Rënda, në datën 03.04.2005, ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Dështon seanca për Gërdecin, mungojnë avokatët
Në sallë, debate mes prokurorit Genci Qano dhe avokatit Maks Haxhia
Gjykata e Tiranës nuk e dha dje verdiktin e saj për kërkesa paraprake të palëve në procesin e Gërdecit. Gjykatësi Ridvan Hado, pasi bëri apelin, konstatoi mungesën e avokatëve të Adriatik Memës dhe Lavdi Shatros, çka solli edhe shtyrjen e procesit për të mërkurën e ardhshme. Në seancën e djeshme, edhe pse zgjati vetëm pak minuta, sërish nuk munguan debatet mes palëve. Kur prokurori Genci Qano kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit për të arrestuarit dhe zëvendësimin e avokatëve me të tjerë kryesisht, avokati i Delijorgjit, Maks Haxhia, replikoi me të duke deklaruar se prokuroria jep deklarata të qëllimshme. Gjykatësi Hado vendosi t’i zëvendësonte avokatët që munguan, por sërish kjo iniciativë nuk vlejti për të vijuar procesin. Avokati i ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, një prej të akuzuarve kryesorë të tragjedisë, kishte kërkuar që gjyqet për Gërdecin të zhvillohen me dyer të mbyllura, pasi sipas pretendimeve të mbrojtjes, gjatë procesit do të dalin sekrete shtetërore. Prokurorët kërkuan rrëzimin e kërkesës pasi sipas tyre, në dosje nuk ka asnjë informacion që mund të quhet sekret shtetëror dhe të dëmtojë shtetin. Gjithashtu ata argumentuan se procesi ka mjaft sensibilitet. Prokuroria kërkoi gjithashtu edhe rrëzimin e një kërkese për shpalljen e pavlefshme të vendimit të dërgimit të dosjes në gjykatë, pasi sipas tyre, është jashtë afateve. Kërkesa është paraqitur nga avokati mbrojtës i Shpëtim Spahiut, ish-komandant i Forcave të Armatosura. Sipas prokurorit të çështjes, dosja për gjykim është dorëzuar brenda afateve ligjore. Prokuroria kërkoi dhe rrëzimin e kërkesës për të deklaruar si të pavlefshme të gjitha akt-ekspertimet. Tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 shkaktoi 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur.
Shkurte
Pranga dy të rinjve, grabitën 15-vjeçarin
Një 15-vjeçar është rrahur dhe më pas grabitur nga dy djem, të cilët u kapën dje nga policia. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në rrugën që të çon për në Zall-Herr në Tiranë, kur D. K., 15 vjeç, së bashku më shokun e tij E. K., kanë rënë pre e një vjedhjeje me dhunë. Sipas deklaratës së të miturit dhënë në polici, dy persona u kanë dalë në rrugë dhe i kanë marrë portofolin, në të cilin kishte 2000 lekë, një dëftesë shkolle dhe një certifikatë personale. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 5 nisën menjëherë hetimet për të identifikuar autorët. Burime nga policia thanë se 24 orë pas ngjarjes u bë i mundur identifikimi dhe kapja e dy autorëve të dyshuar, të cilët janë Shefqet Tanushi, 21 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Lagjen Nr. 6, Bathore, me arsim 8 klasë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Arsim Luca, 16-vjeç, lindur dhe banues në Bathore. Ndaj tyre u mor masa e arrestit për veprën penale të “vjedhjes me dhunë” e kryer në bashkëpunim.
Aksioni i Policisë Rrugore, vendosen 651 gjoba
Policia Rrugore po vazhdon ende aksionin e saj kundër shoferëve debitorë dhe shkelësve të qarkullimit. Gjatë ditës së djeshme janë pezulluar 102 leje drejtimi për mosshlyerje të detyrime.
Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare 678 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, vetëm dje, në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e policisë janë vendosur 651 gjoba dhe janë pezulluat tre leje drejtimi.
Premçi takon homologun kroat për të rritur bashkëpunimin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilloi dje një takim pune me homologun e tij kroat, Oliver Grbiç. Në këtë takim merrnin pjesë dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë Shqiptare dhe asaj kroate, si dhe ambasadori i Kroacisë në vendin tonë, Darko Javorski. Prençi gjatë bisedës së zhvilluar bëri një ekspoze të gjendjes aktuale të Policisë së Shtetit të Shqipërisë. “Policia e Shtetit funksionon me një ligj të ri të miratuar para rreth 2 vitesh, ndërkohë që është bërë riorganizimi e ristrukturimi total i Policisë së Shtetit mbështetur në eksperiencat më të mira europiane. Përveç ndryshimeve ligjore e strukturore, aktualisht është duke u realizuar prej muajsh një studim për rialokimin e burimeve njerëzore, me qëllim që t’i përgjigjemi si duhet nivelit të kriminalitetit në vend”, - theksoi Prençi. Më tej Prençi theksoi se ndër prioritet e punës së policisë shqiptare ka qenë dhe goditja e të gjitha llojeve të trafiqeve, për vetë pozitën gjeografike që ka Shqipëria. “Nëse para 5 apo 6 vitesh në Itali sekuestroheshin dhjetëra ton drogë Cannabis sativa dhe qindra kilogramë heroinë, sot këto shifra sipas statistikave zyrtare italiane janë të papërfillshme”, - tha kreu i Policisë së Shtetit. Duke iu referuar bashkëpunimit me Policinë kroate, Prençi vuri në dukje traditën shumë të mirë të bashkëpunimit policor ndërmjet dy vendeve, e cila i ka fillesat e saj që në vitin 1993 dhe në vazhdimësi këto marrëdhënie kanë ardhur duke u rritur dhe intensifikuar. Po ashtu përgëzoi strukturat kroate për gatishmërinë e vazhdueshme në bashkëpunim. Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kroate, Grbiç, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy policive, i cili do të intensifikohet dhe më tej, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar. Grbiç u ndal më pas në ndryshimet që ka pësuar policia Kroate me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, duke qenë se shumë shpejt Kroacia do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.
23 Tetor 2009