E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr letër nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së



Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Lluis Maria de Puig, i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, në të cilën shpreh bindjen se rizgjedhja e zonjës Jozefina Topalli në krye të këtij institucioni do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Këshillit të Europës. Në letrën e tij, presidenti De Puig shkruan: “Do të dëshiroja t’Ju përcillja urimet e mia më të përzemërta, si në emrin tim ashtu edhe në emër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për rizgjedhjen Tuaj në postin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kam bindjen se lidershipi Juaj do të kontribuojë në zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera e të qëndrueshme parlamentare ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Europës. Ju uroj punë të mbarë për përmbushjen me sukses të mandatit Tuaj dhe shpresoj t’Ju takoj së shpejti”, - përfundon mesazhi i urimit drejtuar Topallit.

Topi vlerëson tolerancën fetare në Shqipëri në Konferencën Ndërfetare

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti dje Konferencën e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), e cila zhvillohet nën kujdesin e veçantë të kreut të shtetit, në praninë e shkëlqesisë Haxhi Ing. Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman, hirësisë Anastas Janullatos, kryetar i Komunitetit Ortodoks, shkëlqesisë Monsinjor Rrok Mirdita, kryetar i Komunitetit Katolik dhe të nderuarit Haxhi Dede Reshat Bardhi, kryetar i Komunitetit Bektashian. Në pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë, kryetari i shtetit iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse në të cilën vlerësoi lart frymën e tolerancës fetare në Shqipëri. “Ky këshill është shembulli më i qartë dhe më i fundit i harmonisë dhe tolerancës ndërfetare që ka karakterizuar kombin tonë në shekuj. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, duke pasur si synim dhe objektiva rritjen, forcimin dhe përsosjen e pandërprerë të marrëdhënieve të ndërsjella mes bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri, ka marrë përsipër një mision sa fisnik, aq edhe njerëzor: ndërtimin e një shoqërie sa më paqësore e sa më të drejtë në Shqipëri”, - është shprehur Topi.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›