Gjiganti i naftës “ALBPETROL”, qeveria nis procedurat për privatizim
Ervin KOÇI
Kompania publike e nxjerrjes së naftës “ALBPETROL” do të hyjë në procesin e privatizimit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, e ka deklaruar dje këtë vendim gjatë një konference për shtyp se është ngritur një grup pune për të filluar procesin e privatizimit të kompanisë “ALBPETROL”. Sipas ministrit Prifti, “grupi i punës i ngritur do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie si dhe termat e referencës dhe kushtet për privatizimin e saj". Ai nuk përjashtoi as pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këtë proces, nëse ato plotësojnë kushtet dhe termat e referencës. Ministri Prifti, shtoi se procesi i privatizimit do të kryhet brenda një periudhe 6-8 mujore.
Më tej Prifti tha se do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e “ALBPETROL”-it. "Ne synojmë një fitim maksimal nga privatizimi, ashtu sikurse edhe do të zgjedhim kompaninë, e cila do të ofrojë investimet më të mëdha",- vijoi Prifti, ndërsa shtoi se një tjetër kusht për privatizimin e kësaj kompanie që do të vendoset nga qeveria shqiptare është edhe mos largimi i fuqisë punëtore nga puna me privatizimin e kompanisë.
Procesi
Edhe pse po flitet për privatizimin e gjigantit të prodhimit të naftës në vend, “ALBPETROL”, përsëri nuk është akoma e qartë nëse kjo kompani do të shitet tërësisht tek privati apo do të jepet me koncesion. Sipas ministrit të Ekonomisë, Prifti, "mbetet ende për t'u fiksuar forma e privatizimit nëse do të jetë privatizim i plotë apo dhënie me koncesion". Në kushtet që çuan në vendimin e privatizimit, kreu i METE-s tha se kompania “ALBPETROL” ka sot probleme serioze financiare duke arritur deri në mos mundësinë e pagimit edhe të pagave të punonjësve. Në këtë kuadër, ai paralajmëroi edhe ndryshime në strukturat drejtuese të kësaj kompanie me qëllim rritjen e performancës, deri në fund të procesit të privatizimit, për të ulur edhe efektet negative që sjell kjo kompani në buxhet. "Ne synojmë një fitim maksimal nga privatizimi, ashtu sikurse edhe do të zgjedhim kompaninë, e cila do të ofrojë investimet më të mëdha", vijoi Prifti, ndërsa shtoi se një tjetër kusht për privatizimin e kësaj kompanie që do të vendoset nga qeveria shqiptare është edhe mos largimi i fuqisë punëtore nga puna me privatizimin e kompanisë. Edhe renta minerare nga marrëveshjet hidrokarbure, të cilën e administron “ALBPETROL”-i, pas rregullimit të kuadrit ligjor për të cilin po punohet, do të derdhet në buxhet.
Vlerësimi
Duke mos dhënë shifra lidhur me vlerat kontabël të kompanisë, ministri Prifti tha se kompania “ALBEPETROL” do të kalojë në një proces auditimi me auditues ndërkombëtar të certifikuar. “Do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e ALBPETROL-it”- deklaroi ministri Prifti. Aktualisht “ALBPETROL” zotëron 20 për qind të puseve të naftës në vend. Kjo gjë do të bëjë që qeveria të vlerësojë mirë vlerën që ka kjo kompani, përpara se të përcaktojë shumën për shitjen totale ose dhënien me koncesion të saj. Ministri Prifti shtoi se, i gjithë procesi i nxjerrjes së naftës në vend pas privatizimit të “ALBPETROL”-it, do të jetë në duart e privatëve. Kompania “ALBPETROL sh.a.” është shoqëri anonime me 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga qeveria shqiptare. I vetmi aksioner është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin e Patosit.
BOX////////////////////////////
Privatizimet, brenda 4 viteve do të shiten të gjitha aksionet shtetërore
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi dje se të gjitha aksionet shtetërore në kompanitë publike do të privatizohen brenda këtij 4-vjeçari. Gjatë një konference për shtyp, ku bëri të ditur nisjen e procesit të privatizimit të kompanisë publike të nxjerrjes së naftës “ALBPETROL”, Prifti tha se po bëhet inventarizimi dhe vlerësimi i të gjitha kompanive me kapital shtetëror, atyre me kapital të pjesshëm shtetëror, si dhe të pronave publike, me qëllim që brenda 4 viteve të privatizohen pothuaj të gjitha, aksionet e tyre. "Në pak muaj do të privatizohet edhe pjesa e mbetur e paketës shtetërore të aksioneve të kompanisë së telefonisë fikse “Albtelekom” dhe jemi duke evidentuar të gjitha ndërmarrjet me kapital shtetëror, ato me kapital të pjesshëm, si dhe të gjitha pronat shtetërore me qëllim që brenda 4 viteve të privatizohen pothuaj të gjitha",- deklaroi ai. Prifti tha se ka një strategji shumë të fokusuar për të hequr pjesën e kapitalit shtetëror për të gjitha ndërmarrjet që sot janë me kapital shtetëror.
INSTAT: Importi i mallrave gjatë muajit gusht u zvogëlua 8.3 për qind
Në muajin gusht u importuan 33,726 miliardë lekë mallra te ndryshme, me një ulje 8,3 për qind në krahasim me muajin korrik të vitit 2009 dhe me një ulje 5,1 për qind në krahasim me muajin gusht të vitit 2008. Sipas INSTAT-it, tregtia me vendet e BE-së është 64,7 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë importi ishte 20,2 për qind, ndërsa me Greqinë, 18,3 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët importi është rritur, janë: Bullgaria, Holanda, Rumania, Rusia, SHBA, etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grupmallrat tregon se importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 34.4 për qind, importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 44 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u ul 34,7, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 21,9 për qind etj. Në muajin gusht të vitit 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 6,160 miliardë lekë, duke zënë 18,3 për qind ndaj totalit të importit. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (58,8 për qind). Sipas INSTAT, gjatë 8 muajve të vitit 2009 (janar-gusht) importi i mallrave të ndryshme drejt vendit tonë ishte 271,882 miliardë lekë, duke pasur ulje në krahasim me një vit më parë, kur kjo shifër ishte 278,275 miliardë lekë.
Pas furtunës së shkarkimeve Papajani prezanton kreun e ri të Tatimeve në Fier
Pas furtunës së shkarkimeve dhe arrestimeve, Tatimet e Fierit do të kenë në krye të tyre një drejtor të ri. Bëhet fjalë për Halil Lamajn, që deri tani ka mbajtur detyrën e shefit të Drejtorisë së Investigimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Dy ditë pas arrestimit të Nevila Bamit, mbërriti në Fier drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani. Në një mbledhje urgjente të organizuar me tatimorët e Fierit, Papajani ka prezantuar dhe kreun e ri të këtij institucioni. Ndërkohë, punonjësit e Tatim-Taksave në Fier janë befasuar nga vënia në pranga e drejtoreshës së tyre, Nevila Bami, e cila në zgjedhjet parlamentare kandidoi për deputete të PD-së. Kjo e fundit kishte vetëm pak kohë që ishte emëruar në Drejtorinë e Tatim-Taksave të Fierit. I pyetur se përse Bami u emërua në këtë post ndërsa ishte nën hetim, numri një i Tatimeve është shprehur se nuk kishte asnjë dijeni për hetimin. "Jam tronditur kur kam dëgjuar mediat mbrëmjen e së martës. Nuk kisha asnjë informacion në lidhje me akuzat që i bëhen Bamit",- ka thënë Papajani. Ai ka pohuar se pas këtij rasti, dosjet e personave që janë kandidatura për poste të tilla do të shikohen me kujdes. Brenda katër vitesh, në Drejtorinë e Tatim-Taksave të Fierit janë ndërruar 6 drejtues.
Brukseli: Jo çmime reference për mallrat e importit nga BE-ja
Përdorimi i Çmimeve të Referencës në administratën doganore të Shqipërisë nuk është një praktikë e pranueshme në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian. Kështu thuhet në raportin e Komisionit Europian për vendin tonë, që u publikua pak ditë më parë. "Përdorimi i çmimeve të referencës nuk është në linjë me standardet europiane", - thuhet në raport. Praktika e çmimeve referuese u vendos në Shqipëri në vitin 1998, kur një kod i ri doganor u miratua me vetë asistencën e një misioni të BE-së. Praktika i lejon autoriteteve doganore të taksojnë mallrat e importit jo në bazë të faturave të paraqitura nga subjektet importuese, por në bazë të "çmimeve të referencës". Doganat përdornin të dhëna të ndryshme të gjetura në internet për të përcaktuar çmimet referuese. Por për një numër shumë të madh mallrash, është e pamundur që çmimet referuese të gjendeshin në internet dhe praktika i hapi rrugë akuzave për abuzim dhe konkurrencë të pandershme. Në fillim, deri në 70 për qind të mallrave të importuara zhdoganoheshin me çmime reference, ndërsa me kalimin e viteve, kjo përqindje u ul. Megjithatë, për shumë mallra të rëndësishme, përfshirë naftën, grurin e të tjera, çmimet referuese vijojnë të zbatohen.
23 Tetor 2009