E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia nis punimet në orët e mbrëmjes në sheshin Skëndërbej

Konflikti për sheshin

Pas përplasjeve me Qeverinë, Bashkia e Tiranës ka nisur mbrëmjen e djeshme rrethimin e Sheshit “Skënderbej”. Inspektorati i Bashkisë ka nisur kështu fazën e parë të rindërtimit të sheshit, duke rrethuar me rrjetë teli sipërfaqen e tij. Projekti i sheshit i mbështetur nga shteti i Kuvajtit kap vlerën e 4.3 milionë eurove. Sipas të dhënave, në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe punonjësit e policisë, të cilët kanë devijuar trafikun. Rrjeta e telit ka bllokuar gjithë hyrjet dhe daljet e sheshit, me qëllim që punonjësit të vazhdojnë punimet pa u shqetësuar, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm që binte mbrëmë në Tiranë. Pak ditë më parë kreu i qeverisë, Sali Berisha, u angazhua të rikonstruktojë sheshin, duke urdhëruar asfaltimin e tij e duke akuzuar se Bashkia po e lë sheshin kryesor të kryeqytetit në gjendje të mjeruar. Ai tha se do të përdoren paratë e fondit që qeveria Kuvajtiane ka vënë në dispozicion prej dy vitesh. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka reaguar duke theksuar se është faji i qeverisë që në sheshin ‘Skënderbej’ nuk kanë nisur ende punimet për projektin e parashikuar. Bashkia e Tiranës konsideroi para të hedhura kot, asfaltimin e sheshit pak para fillimit të rikonstruksionit të plotë të tij nga ana e saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›