E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, këngë patriotike dhe parulla kundër ekstremistëve grekë

Organizata të shumta protestuan përpara ambasadës greke Reagon ambasadori grek: Ndjesë, do të dënojmë autorët

Shoqëria civile dhe diplomacia kanë qenë aktive dje për sa i përket dënimit të thirrjeve raciste antishqiptare që disa ushtarë grekë lëshuan gjatë një parade në ditën e festës kombëtare të Greqisë. Paraditen e djeshme qindra protestues nga Partia Drejtësi dhe Unitet, organizata “Mjaft”, “Tifozët Kuqezi” dhe shumë organizata të tjera organizuan një protestë paqësore përpara ambasadës greke në Tiranë për të dënuar thirrjet raciste. Nën ritmin e himnit kombëtar dhe këngëve patriotike shqiptare, protestuesit bënë thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Po kështu, ata kërkuan nga qeveria greke që t’i dënojë këto akte të turpshme dhe që nxisin urrejtjen mes popujve fqinjë. Nga ana tjetër, protestuesit kërkuan që qeveria shqiptare të kërkojë ndëshkim të rreptë dhe të drejtë për aktet raciste. Ndër parullat e protestuesve lexohej qartë ajo “Greqia, turpi i BE-së” dhe po kështu parullat e tjera të cilat mbaheshin në dorë nga protestuesit flisnin për të drejtën e popullsisë çame dhe ndalimin e provokimeve të tjera nga ana e ushtrisë së shtetit fqinj. Pas më shumë se një ore, protestuesit përpara ambasadës greke u shpërndanë qetësisht. Por pak minuta pas përfundimit të protestës nuk vononi edhe përgjigjja e ambasadës së Greqisë. Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolaos Pazios, përmes një bisede telefonike me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, shprehu ndjesën e qeverisë greke për situatën e krijuar. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, ambasadori Pazios, përveç ndjesës për çfarë ka ndodhur, e ka siguruar Metën se autoritetet kompetente greke do t’i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij. Nga ana e tij, pas telefonatës së ambasadorit, kryediplomati Ilir Meta ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm e të vendosur të qeverisë greke dhe ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej. Sipas Metës, autorët e këtij akti do të marrin përgjigjen e metituar dhe se qeveria shqiptare nuk mund ti kthehet këtij incidenti me një tjetër incident. Po kështu pasditen e djeshme, kryediplomati, Ilir Meta zhvilloi një bisedë telefonike për ngjarjen edhe me ministrin e Jashtëm, plotësues grek, Dimitris Drucas. Në këtë bisedë Metës i është siguruar se ndaj autorëve do të merren masat e duhura dhe se qeveria greke distancohet nga kjo ngjarje. Dy ditë më parë, reagimi i Metës ishte i ashpër në lidhje me këtë çështje. Ministri i Jashtëm e konsideroi incidentin e ndodhur në paradë si një akt skandaloz dhe të dënueshëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›