E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU: Topi dhe Berisha, tryezë për çështjen çame

Shteti shqiptar duhet të iniciojë mbajtjen e një tryeze me palën greke për të diskutuar mbi çështjen çame. Kjo ishte deklarata që erdhi dje nga kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, parti e cila ishte edhe organizatore në protestën e zhvilluar dje përpara ambasadës greke në Tiranë. Duke marrë shtysë edhe nga incidenti i ndodhur me disa ushtarë të forcave të armatosura greke, Idrizi u bëri thirrje përfaqësuesve të lartë të politikës në vend për të mbrojtur më shumë të drejtat e shqiptarëve, të mohuara nga pala greke. “Qeveria shqiptare, në mënyrë të qartë të mbajë qëndrim dhe të kërkojë shpjegim. I kërkojmë Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha dhe të gjithë forcave politike të ruajnë identitetin shqiptar dhe të hapin në tryezën e bisedimeve çështjen çame”, theksoi Idrizi, gjatë protestës të zhvilluar dje. Sipas tij, PDU shpreh indinjatë të thellë për gjestin e shëmtuar, i cili nuk u shërben marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Idrizi theksoi se komuniteti çam pret falënderime dhe jo fyerje nga grekët, nisur edhe nga kontributi që luftëtarë çamë si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella kanë dhënë për pavarësinë e Greqisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›