E Diel, 1 Nëntor 2026

Roja bregdetare e Greqisë dënon ashpër efektivat e saj

Sekretari ekzekutiv i kësaj njësie distancohet nga ngjarja

Ngjarja e rëndë e racizmit me autorë përfaqësues të forcave të armatosura greke solli dje edhe reagimin e sekretarit ekzekutiv të rojës bregdetare të Greqisë, pjesë e të cilës ata ushtarakë janë. Përfaqësuesi i lartë i rojës bregdetare në një deklaratë të bërë në gazetën elektronike greke “Xhungla” dënon ashpër ngjarjen e rëndë dhe distancohet nga ajo në emër të kësaj strukture të forcave të armatosura të Greqisë.

“E dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të rojës bregdetare, të cilët me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as nuk duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për rojën bregdetare”, thekson zyrtari i lartë për median greke. Sipas tij, ky incident i vetëm nuk pasqyron Forcat Komando të Shkatërrimit nënujor në tërësi, të cilët përbëjnë elitën e rojës bregdetare. Sekretarit ekzekutiv të rojës bregdetare thekson se rëndësia e këtij reparti është e madhe, sepse përfaqësuesit e saj ofrojnë shërbime të nivelit të lartë në situata të tilla si lirimin e pengjeve dhe neutralizimin e pajisjeve shpërthyese. Ai thekson se nisur nga rëndësia e madhe që kjo njësi ka është e patolerueshme që në radhët e saj, të gjejnë vend njerëz me pikëpamje të tilla raciste. “Duke përfunduar përsërisim edhe një herë se roli i federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të rojës bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën” , thekson në deklaratën për mediat sekretari ekzekutiv i rojës bregdetare të Greqisë. Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, gjatë një parakalimi në Athinë të forcave të armatosura greke me rastin e festës kombëtare të shtetit fqinj. Ngjarja u denoncua një ditë më pas nga vetë mediat greke dhe shkaktoi irritim dhe protesta në radhët e shqiptarëve. Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarë të forcave të armatosura greke janë denoncuar dhe dënuar për thirrje raciste kundër shqiptarëve dhe po kështu kundër vendeve të tjera fqinje me Greqinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›