Mjaft!: Krerët e shtetit grek të reagojnë për ngjarjen
Autoritet e larta greke duhet të shprehen personalisht për ngjarjen e shëmtuar të ndodhur në ditën e festës kombëtare të Greqisë. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje lëvizja “Mjaft!” e cila mori pjesë në protestën e zhvilluar dje për këtë çështje. Me anë të një deklarate për mediat, “Mjaft!” thekson se kjo ngjarje është e përsëritur dhe për këtë arsye nuk mjafton vetëm ndjesa e ambasadorit. “Ne nuk mund dhe nuk duhet të mjaftohemi me shkarkime selektive në radhët e ushtrisë dhe as me deklarata formale në nivel ambasadorësh. është e domosdoshme që më së pari, vetë autoritetet më të larta të shtetit fqinj të shprehen qartazi dhe pa ekuivok për këtë çështje, si dhe të ndëshkojnë fajtorët”, shprehet kjo lëvizje. Po kështu, drejtuesit e kësaj lëvizjeje, dënojnë edhe qeverinë shqiptare për atë që ata e konsiderojnë si apati dhe servilizëm tradicional. “Këto qëndrime kanë hapur rrugën për çdolloj nëpërkëmbjeje të dinjitetit kombëtar dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, konkludojnë drejtuesit e “Mjaft!”. Ata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të marrë edhe rolin që i takon në këtë çështje, për të përfaqësuar sa më denjësisht shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve.
#