E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Festë masive kundër protestës së PS-së

Nënkryetari demokrat, Astrit Patozi, lajmëroi se më 1 Maj do të festohet në nder të punës drejt BE-së

Partia Demokratike do të organizojë më 1 Maj, në sheshin “Skënderbej”, një festë në nderim të punës dhe në kundërpërgjigje të protestës së lajmëruar të opozitës më 30 prill. Lajmin e bëri të ditur dje kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në një deklaratë për median, pas punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së. Sipas nënkryetarit të PD-së, kjo festë do të jetë e përmasave të papara më parë, duke pasur në qendër punën e shqiptarëve dhe të qeverisë për reformat intensive që po kryhen në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Europë. “Ne kemi ndërmend të festojmë më 1 Maj, me një entuziazëm që Tirana nuk do ta ketë njohur ndonjëherë më parë. Duke ruajtur simbolikën e kësaj date, me këtë festë do të nderojmë punën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, lajtmotivin e reformave të kësaj mazhorance, sukseset tona që na kanë bërë të jemi anëtarë të denjë të NATO-s, që po mundësojnë liberalizimin e vizave dhe po rrisin shpejtësinë drejt Bashkimit Europian”, sqaroi kryetari i grupit demokrat pas vendimit të marrë nga socialistët, për të protestuar në datë 30 prill. Për protestën e PS-së, Patozi theksoi se ajo do të ketë fatin e atyre të bëra në të shkuarën për transparencën e zgjedhjeve. Po kështu, nënkryetari i PD-së theksoi se planifikimi i kësaj proteste në fund të muajit, tregon se socialistët e kanë shumë të vështirë për të mbledhur njerëz në shesh. “Ata mund ta kishin bërë protestën edhe më shpejt. Por ne ia kuptojmë hallin dhe kohën e gjatë që i duhet atij për të mbledhur qoftë edhe një grusht njerëzish. Protesta e 30 prillit, e paralajmëruar nga PS, do të ketë fatin e protestave të kaluara”, parashikoi Patozi. Në lidhje me punimet e Asamblesë dhe vendimeve që u morën aty, nënkryetari i PD-së theksoi se PS po tregon se vazhdon të jetë peng i kryetarit të saj, Edi Rama. Kjo Asamble, sipas Patozit ishte një provë e cila tregoi qartë se Rama është njeriu i krizës në Shqipëri dhe shpresat që ai të dalë prej saj janë pothuajse zero. “Asambleja e thirrur prej tij nuk prodhoi asgjë të re dhe asnjë befasi. U shqiptuan të njëjtat slogane për gjoja transparencën dhe u theksua edhe një herë se grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të lejohet të dalë nga kutia”, konkludoi Patozi. Sipas tij, Rama nuk po u lejon më deputetëve socialistë të përfaqësohen me dinjitet në Parlament, por po vazhdon t’i mbajë peng ata, nisur nga arsye të ngushta personale. “Gjeneratori i dëshpërimit, që po mban peng prej gati 8 muajsh forcën e vet politike, na tregoi edhe një herë, se nuk ka ndërmend t’u japë mundësitë deputetëve të përfaqësojnë me dinjitet në Parlament zgjedhësit e tyre”, theksoi nënkryetari i PD-së, duke shtuar se mazhoranca nuk mund t’ia lejojë Ramës që problemet personale t’i kthejë në dramë kombëtare. Sipas Patozit, mazhoranca ka qenë e hapur dhe serioze në ofertat e saj për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Por nënkryetari i PD-së theksoi se PS nuk i ka pranuar këto oferta dhe ka vendosur t’i shkojë deri në fund aventurës personale të një njeriu. Sipas tij, Rama bashkë me PS-në po bëjnë ç’është e mundur për të nxirë imazhin e vendit në Europë dhe më gjerë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›