Bashkia nuk jep licenca, por plazhet private "lulëzojnë"
Plazhet private që kanë mbushur të gjithë brezin ranor të Durrësit janë ende të palicencuara dhe askush nuk përgjigjet për këtë, ndërkohë që pushuesit vërtiten me çadra në duar pa mundur të gjejnë një vend të lirë për të bërë banjë dielli. Në plazhin e Durrësit thuajse je i detyruar të paguash 300 lekët për të përdorur dhuratën e natyrës, rërën e plazhit të madh që është zaptuar në të gjithë sipërfaqen e saj. Tri vendet e caktuara për plazhe publike gjithashtu kanë qenë të zaptuara derisa javën e fundit bashkia e qytetit dhe policia e saj kanë ndërmarrë një aksion për çlirimin e zonave të përcaktuara si publike. Shefi i kabinetit të kryetarit të Bashkisë në Durrës, Lavdosh Beqiraj, pohon për gazetën "Shqip" se janë liruar dy prej plazheve publike dhe se vazhdon aksioni për pastrimin nga shezlongët edhe të plazhit të tretë publik. Këto hapësira ishin zënë dhe vazhdojnë të jenë nga subjektet private dhe pushuesit e kishin të pamundur qëndrimin në to, pavarësisht se tabela sinjalizuese i orientonte në tre sektorët "Teuta", "Hekurudha" dhe "Iliria", për të shmangur pagesën për shfrytëzimin e rërës dhe shërbimit të privatit. Ndërkohë, ndonëse është mesi i muajit korrik dhe rrjedhimisht edhe i sezonit turistik, të habit fakti që asnjë nga plazhet private nuk është i licencuar nga Bashkia e Durrësit. Fushata zgjedhore dhe angazhimet e tjera në përurime të objekteve të infrastrukturës rrugore i kanë lënë jashtë vëmendjes subjektet në plazh dhe si pasojë ato kanë shfrytëzuar rërën pa pasur asnjë detyrim nda pushtetit vendor dhe komunitetit që ky pushtet përfaqëson. Situata është paradoksale dhe e pakuptimtë. Madje në Bashkinë e Durrësit arrihet deri aty sa mosmarrja e masave administrative ndaj subjekteve që zaptuan dhe plazhet publike, përveç heqjes së tyre, të argumentohet si mungesë kompetence e organeve të saj për të ushtruar autoritetin dhe detyruar të dëmshpërblejnë për shfrytëzimin e rërës dhe cenimin e të drejtës së qytetarëve për të pushuar në zonat e përcaktuara si plazhe publike. Situata është kritike dhe në Lagjen nr.1 të Durrësit, në Currila, ku të gjitha lokalet e ngritura përgjatë bregut të detit përdorin si plazh privat hapësirën publike para tyre, ndonëse nuk zotërojnë asnjë leje për këtë shërbim. Pushuesit e plazhit të madh dhe të Currilave shprehen të pakënaqur për situatën e këtij sezoni turistik. Aktualisht, në Bashkinë e Durrësit janë bërë 90 kërkesa për plazhe private, të cilat presin të vlerësohen dhe të marrin licencën për ushtrim aktiviteti në plazh, pavarësisht se gjatë gjithë kësaj kohe ata e kanë ushtruar atë, duke vjelë të ardhura të konsiderueshme prej tij, pa asnjë lloj detyrimi. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Zamir Ramadani, shprehet se është tepër vonë për këtë vlerësim, ndërsa sezoni ka mbyllur gjysmën e tij, ndërkohë që gjithçka më parë duhet të kalojë nga ky këshill që ka kërkuar gent-planin e ndarjes së zonave në plazhe private dhe publike. "Është një biznes që nuk administrohet nga Këshilli Bashkiak dhe ne kemi kërkuar që të bëjmë ndarjen e zonave për të shmangur parregullsitë dhe klientelizmin. Vihet re një shmangie e theksuar përgjegjësie nga ana e Bashkisë së Durrësit", thekson Ramadani, i cili flet për shqyrtimin e kësaj situate në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë pritet që në javën e ardhshme bashkia të përcaktojë dhe subjektet që do të fitojnë të drejtën e shfrytëzimit të rërës për aktivitet privat, ndonëse mungesa e licencës nuk ka penguar ndonjë subjekt për ta bërë këtë në kurriz të pushuesve gjatë të gjithë kësaj kohe.