E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje alarmante në Infektivin e Peshkopisë

Sëmundja e brucelozës në fshatin Homesh të Komunës Shupenzë, ka marrë përmasa alarmante. Mjeku infeksionit, në Spitalin Infektiv të Peshkopisë, Beqir Biçi, konfirmoi për "Shqip" se këto ditë nga ky fshat ka ardhur një familje e tërë prej shtatë personash, si dhe veterineri i zonës, të cilët kanë paraqitur simptoma të sëmundjes së brucelozës. Nga ekzaminimet e bëra është konfirmuar se ata janë prekur nga kjo sëmundje infektive. "Shenjat ku pacientët duhet të dyshojnë se mund të jenë të infektuar nga kjo sëmundje, janë: rritja e temperaturës nga subfebrile në febrile, dhimbje kyçesh, djersë me erë të rëndë, vështirësi në lëvizje etj.", thotë mjeku specialist, Beqir Biçi. Sipas mjekut, rreziku qëndron në faktin se shpesh të sëmurët mendojnë se vuajnë nga reumatizma. Gjithashtu edhe ekzaminimi ekografik jo gjithmonë jep rritje të mëlçisë dhe shpretkës, por ajo që e përcakton saktësisht këtë infeksion mbetet analiza specifike që është testi i wright (rajt), analizë kjo që bëhet në Drejtorinë e Shëndetit Publik Peshkopi. Ndërkohë, sipas mjekut, sëmundja bëhet e parrezikshme nëse kapet dhe mjekohet në kohë, por në të kundërt ajo bëhet vërtet problematike. "Nga përvoja ime si mjek infeksionist, kam vërejtur se prej dy vitesh sëmundja e brucelozës ka pasur përhapje jo vetëm në Rrethin e Bulqizës, por edhe në Rrethin e Dibrës dhe e vetmja mënyrë për ta eliminuar atë është gjurmimi dhe vaksinimi i bagëtive", thekson mjeku specialist. Edhe pse jo zyrtarisht, burime të rezervuara nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë Dibër bëjnë të ditur se me gjithë kërkesën e bërë për vaksina, fare pak doza vijnë pranë kësaj drejtorie nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›