E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet rikthimi i rojeve në plazh

Sistemi i sigurisë në plazhin më të madh të vendit, atë të Durrësit, mungon. Sezoni ka mbyllur gjysmën e tij, ndërkohë rojet e plazhit aq shumë të nevojshëm për të shmangur tragjeditë në det mes turistëve, nuk duken gjëkundi. Në Bashkinë e Durrësit deklarojnë se ata do të vendosen pas 15 korrikut, atëherë kur konsiderohet dhe fluksi më i madh i pushuesve në bregdet. Brenda fondit të akorduar për turizmin në këtë sezon është përfshirë dhe një fond për shërbimin e rojeve të plazhit, që do të ofrohet nga një OJF e specializuar për të dhënë këtë lloj shërbimi. Megjithëse ky plazh ka intensitetin më të madh turistik në vend, ka munguar ndër vite një politikë për të krijuar standardet aq shumë të nevojshme të sigurisë, ndërkohë që çdo sezon ka regjistruar të mbyturit e vet, pasojë e mungesës së aftësive në të notuar apo incidenteve në det. Mungesa e rojeve të plazhit nuk i ka shmangur këto fatkeqësi mes pushuesve. Vetëm pak ditë më parë, xhaxha e nip humbën jetën në det në Gjirin e Lalzit, ndërsa në Vlorë ndodhi një tjetër tragjedi familjare. Babë e bijë u mbytën, ndërsa pushonin në plazh. Mungesa e rojeve të plazhit sjell dhe shumë situata të tjera të pakëndshme mes plazhistëve. Në verën e vitit 2007, Bashkia e Durrësit nëpërmjet një bashkëpunimi me një OJF vendosi të financojë projektin për ngritjen e kullave të shpëtimit, me qëllim që të ngrejë infrastrukturën parësore për shërbimin e ndihmës së shpejtë dhe rritjen e standardeve të sigurisë. Kullat e vrojtimit, ku atëherë u shfaqën të rinjtë-roje me veshje të kuqe që tërhiqnin vëmendjen e pushuesve dhe ishin pikë referimi për problemet e tyre, kanë mbetur në plazh si skelete të ndryshkura pa jetë. A do jetë gjysma e dytë e sezonit me rojet e plazhit në Durrës? Kjo mbetet për t‘u parë.

Mungesa e rojeve,

problem edhe në Vlorë

Mungesa e rojeve bregdetare në plazhet e bregdetit të Vlorës tashmë ka filluar të jetë një problem për turistët e shumtë. Në një nga plazhet më të populluara të qytetit të Vlorës, në atë që quhet Plazhi i Ri, janë ngritur disa kulla që do të shërbenin për rojet e plazhit, por tashmë ato përdoren si vende argëtimi për fëmijët. Në gjithë vijën bregdetare të Vlorës, në plazhe publike apo private, nuk ka roje bregdetare dhe siguria në det nuk ekziston. Plazhistë të shumtë, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në Vlorë këtë verë, shprehen se janë të pasigurt, kryesisht në ditë që moti nuk është i mirë dhe deti ka dallgë. Ata thonë se ekzistenca e rojeve të plazhit është domosdoshmëri në çdo plazh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›