Raikonen drejt largimit nga F1
Në fund të këtij sezoni, Kimi Raikonen mund të vendosë të largohet nga Formula 1, për t‘iu dedikuar garave "rally". Lajmi bëhet i ditur nga revista finlandeze, "Veikkaaja", që rreth kësaj çështjeje kishte biseduar me një shokun e ish-kampionit të botës. Personi i afërt me pilotin e Ferrarit bëri të ditur se "Kimi nuk flet më për Formula 1. Tashmë tema e bisedave të tij sportive është vetëm ‘rally‘". Në fund të këtij muaji, "Njeriu i Akullt" do të paraqitet në Rally-n e Finlandës, ku do të jetë në timonin e një "Grande Punto S2000 Abarth". Kontrata e tij me "kokëkuqen" përfundon në vitin 2010, por Raikonen mund të vendosë që ta mbyllë përpara kohe aventurën te skuadra italiane. Gara e fundit e Botërorit 2009 është ajo e 1 nëntorit, që do të zhvillohet në Abu D‘habi. Largimi i tij do ta lehtësonte kalimin e Fernando Alonsos te Ferrari.