E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri, asnjë rast i konfirmuar me grip derri

Në Shqipëri nuk është konfirmuar asnjë rast i prekjes nga gripi i derrit, influenca AH1N1. Instituti i Shëndetit Publik po bën kontrollin e rasteve me grip, qoftë dhe rasteve të lehta të atij të zakonshëm. Udhëzimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë të rritet vigjilenca lidhur me rastet e dyshuara me grip në përgjithësi, si dhe për gripin A (H1N1).

"Pandemia është e paevitueshme, në kuptimin që gjithë popullsia e botës është e ekspozuar ndaj virusit". Me këtë fjali, përgjegjësi i departamentit të shëndetësisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Roberto Bertollini, ka lënë të kuptohet se çdo vend duhet të marrë masa të veçanta për të parandaluar përhapjen e virusit AH1N1. "Prodhimi i vaksinës po ecën me ritme të shpejta, por para se të dalë në treg duhet të kryejmë disa eksperimente gjatë javëve të ardhshme", shprehet zyrtari i OBSH-së. Në vijim ai ka shtuar se gjatë rrugëtimit nëpër botë virusi nuk ka pësuar mutacione dhe ky është një lajm i mirë. "Bëhet fjalë për një virus që e ka forcën goditëse të dobët. Vetëm në disa pacientë të veçantë mund të marrë forma më të rënda dhe këtë nuk arrijmë ta kuptojmë pse ndodh", thekson Bertollini.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›