Hoxha: Ulja e kostove të biznesit ndihmon konsumatorët
Dhoma e Tregtisë Britanike, takim pune me Doganat për uljen e çmimeve dhe reduktimin e procedurave
Nisur edhe nga iniciativa e fundit e Bashkisë së Tiranës, anëtarët e Dhomës së Tregtisë Britanike deklarojnë se ulja e kostove ndaj biznesit është tërësisht e mundshme në mënyrë që konsumatori të përfitojë çmime më të pranueshme. Dhoma e Tregtisë Britanike, në kuadër të informimit dhe rritjes së transparencës të marrëdhënieve të biznesit me administratën publike, si edhe përmirësimit të bashkëpunimit me këtë administratë për rritjen e konkurrencës së ndershme dhe të të bërit biznes në Shqipëri, ftoi në një drekë pune Doganat dhe disa nga bizneset më të spikatura dhe me eksperiencë nga fusha të ndryshme. Presidenti i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha theksoi faktin se sistemi i doganave në Shqipëri ka marrë një vlerësim pozitiv nga anketimet e bëra me kompani të ndryshme, dhe organizuar nga Dhoma. Por, gjithashtu, ai theksoi nevojën e përmirësimit të disa aspekteve, shumë lehtësisht të përmirësueshëm, dhe që kanë një ndikim në punën e kompanive dhe rrjedhimisht në rritjen artificiale të kostove operative të këtyre kompanive. E thënë ndryshe, në rritjen e kostos së produktit përfundimtar te konsumatori. Presidenti i Dhomës Britanike vlerësoi nevojën për të përmirësuar praktikën doganore në mënyrë që të arrihet ulja e kostos për biznesit e cila do të çojë në uljen e çmimeve për konsumatorin shqiptar. Ndër të tjera shtoi se iniciativa e Bashkisë së Tiranës duhet të ndiqet nga institucionet e tjera, pasi komuniteti i biznesit e mbështet thellësisht atë, duke shprehur nevojën për arritjen e një konkurrence të ndershme në dobi të qytetarëve shqiptarë. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka parashtroi disa nga përparësitë e punës së Doganës, ku bashkëpunimi me kompanitë për marrjen e vërejtjeve të tyre dhe përmirësimin e procedurave si edhe puna për përshtatjen e procedurave në kuadër të integrimit në EU, përbënin prioritetin e punës së ekipit drejtues të Doganës Shqiptare.