E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, palestër për shkollën Vasil Shanto

Tiranë- Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” do të nisin vitin e ri shkollor me një palestër të re. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë palestër, me vlerë 6 972 000 lekë, këtë fillim jave dhe e cilësoi ndërhyrjen në përmirësimin e mjediseve sportive një nga iniciativat e rëndësishme dhe të suskesshme të Bashkisë së Tiranës.

“Janë rreth 9000 metra katrorë sipërfaqe e re palestrash, rreth 12 mijë metra katrorë terrene sportive të hapura nëpër shkolla dhe afro10 mijë metra katrorë terrene të tjera sportive nëpër lagje, që janë vetëm hapi i parë i një revolucionarizimi të infrastrukturës sportive në të gjithë kryeqytetin”- tha Rama.

Sipas tij, kjo do të bëjë nga njëra anë që ne të kemi çdo shkollë në kryeqytet me kushtet për aktivitetet sportive dhe nga ana tjetër që çdo lagje të ketë minikëndin dhe këndet e saj sportive.

Kjo, sipas tij është një politikë e cila synon çdo vit të rrisë potencialin e kryeqytetit, jo vetëm në përmasën e tij mjedisore por edhe në përmasën e tij sportive”.

Shkolla “Vasil Shanto” ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Bajram Curri” me rrugën “Sulejman Delvina”, në një zonë të rëndësishme të kryeqytetit dhe me një densitet të konsiderueshëm banimi dhe aktivitetesh të ndryshme social - shoqërore.

Shkolla është rikonstruktuar totalisht në vitin 2000. Palestra është konceptuar në planimetri në formë të rregullt gjeometrike dhe është e mbuluar me një strukturë të ngritur prej elementësh metalikë dhe panelesh, një pjesë e të cilave të tejdukshëm për efekt të ndriçimit natyral.

Palestra ka dy hyrje nga faqja e përbashkët me ndërtesën e shkollës të cilat zbresin me dy rampa shkallësh për në kuotën e terrenit sportiv. Në gjithë gjatësinë e palestrës në krahun e hyrjeve janë realizuar katër këmbë shkallë të larta për spektatorë në aktivitetet sportive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›