E Hënë, 2 Nëntor 2026

Monumentet e Evropës Juglindore

26/05/2005  Presidentët mblidhen për korridoret kulturore

Evropa Juglindore është një vend i bekuar për takim të qytetërimeve, kurse trashëgimia e saj kulturore mund të bëhet burim i një strategjie të re gjeopolitike të rajonit. Rreth kësaj ideje u bashkuan pjesëmarrësit në forumin rajonal që u mbajt në qytetin bullgar Varna “Korridoret kulturore të Evropës Juglindore”. Presidentët e tetë vendeve ballkanike, ekspertë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe turizmit kulturor diskutuan një filozofi të re të zhvillimit të Evropës Juglindore, e cila t’u bazohet vlerave kulturore të çdo një populli.

Gadishulli Ballkanik si një udhëkryq i qytetërimeve dhe feve të ndryshme gjatë shekujve, si ndërmjetës midis Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut, përbëhet nga lidhje dhe ndikime që kanë të bëjnë me rrënjët e përbashkëta historike. Si rezultat në vazhdim të shekujve u formuan korridore kulturore, të cilat ndjekin fenomene kulturore, të përbashkëta për rajonin. Këto janë objektet e antikitetit, trashëgimisë romake, arkitekturës popullore me variantet e saj lokale, kishat, manastiret, tempujt myslimanë. Ruhen deri sot dhe një varg produktesh të trashëgimisë sonë të përbashkët jo materiale, si motivet tradicionale mbi pëlhurat dhe sendet që ndeshen në shumë vende të Ballkanit. Gadishulli Ballkanik ka shanse pikërisht nëpërmjet korridoreve të veta kulturore të përfshihet në rrjetin e trashëgimisë kulturore globale. Ja përse ekspertët në fushën e trashëgimisë kulturore propozojnë të krijohet një rrjet produktesh turistike, duke u lidhur me rrjetin evropian të turizmit kulturor.

“Vite me radhë trashëgimia kulturore dhe historike ka qenë alibi për një politikë agresive dhe për veprime ushtarake, dhe tani vërtetojmë se kultura është pjesë e imazhit pozitiv të rajonit tonë, ajo është argumenti ynë më i fortë për integrimin evropian, tha gjatë takimit ballkanik në Varna presidenti bullgar Georgi Përvanov. Specialistët shpesh herë e përcaktojnë Ballkanin si një zonë e kontakteve, një vend ku takohen Lindja dhe Perëndimi, Veriu dhe Jugu, krishterimi dhe islami. Këtu, në rajonin tonë, mblidhen së bashku ide, pikëpamje, besime, korridore kulturore dhe gjithçka krijon një model unik, i cili ka vendin e vet në qytetërimin evropian, por ka dhe një specifikë rajonale. Evropa Lindore nuk është Evropa tjetër, ajo nuk është periferia e Evropës. Zgjerimi i BE-së ka motivacionin e vet historik dhe gjeopolitik dhe rajoni ynë meriton pohim dhe realizim të perspektivës së tij evropiane.”

“Nocioni “Evropa e bashkuar” do të thotë një Evropë, në të cilën nuk duhet të kemi frikë nga populli më i madh, një Evropë, në të cilën diferencat nuk ndajnë, por bashkojnë – këto ishin fjalët e presidentit kroat Stipe Mesiç, i cili mori iniciativën që vitin tjetër takimi i nivelit të lartë mbi temën e korridoreve kulturore të mbahet në Kroaci. Kundërshtimet në Ballkan nuk ishin kundërshtime të kulturave ose qytetërimeve, megjithëse shumë njerëz e kuptonin kështu. Këto ishin kundërshtime që rrjedhin nga politika e mungesës së tolerancës. Projekti “Korridoret kulturore të Evropës Juglindore” i bazohet parimit të zhvillimit dhe shumëllojshmërisë. Ai do të ndihmojë për njohjen e kulturës së Evropës Juglindore në kontekstin e integrimit evropian. Trashëgimia ynë duhet të prezantohet si burim i zhvillimit ekonomik të vendeve tona.”

“Popujt ballkanikë duhet t’i japin prioritet komunikimit, ta dëgjojnë njëri-tjetrin, kjo do të sjellë prosperitet. Historia jonë na tregon shembuj se sa i rrezikshëm dhe i dëmshëm mund të jetë qëndrimi negativ. Shekulli XX ishte shekulli i luftërave, dhe njëkohësisht – shekulli i zhvillimit të ekonomisë dhe politikës. Duhet që ne, politikanët, të forcojmë aktivitetin tonë për të mbrojtur vlerat që ndahen nga kulturat e ndryshme dhe që janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të botës” , është shprehur kreu i shtetit të Turqisë, Ahmet Nexhet Sezer

“Evropa Juglindore është djepi i qytetërimit dhe prandaj duhet të punojmë për integrimin e saj kulturor, dhe kjo do të thotë bashkëveprim midis kulturave tona. Njëkohësisht ne kemi dhënë këtyre popujve që kanë kaluar, por edhe kemi marrë nga ta. Pikërisht kjo duket dhe në atë që në kulturat e popujve tanë ka shumë gjëra të përbashkëta. Sigurisht ne jetojmë në epokën e globalizmit. Unë jam dakord me këtë që u tha këtu që tendencat e sotme nuk janë përplasje midis civilizimeve dhe kulturave. Unë mund t’ju them një shembull interesant. Ne kemi zbuluar në muzeun në Berat një ikonë të shekullit XIX, ku duken një fontanë me ujë të shenjtë dhe në sfondet e saj minaret e xhamive. Pra, toleranca dhe bashkëpunimi i kulturave ka qenë dhe do të mbetet. Sigurisht na takon neve që jemi vënë në krye të vendeve tona për të drejtuar politikën që këto fenomene t’i përkrahim dhe t’i çojmë më përpara” , ka thënë presidenti shqiptar Alfred Moisiu.

Ndërsa presidenti i Greqisë Karollos Papulias në fjalën e tij është shprehur se: “Korridoret kulturore dhe rrugët tona të përbashkëta historike janë një mjet i vlefshëm për të inkurajuar larminë kulturore të rajonit tonë dhe për të ndihmuar për zhvillimin e tij ekonomik nëpërmjet turizmit kulturor. Sepse turizmi është një gjuhë ndërkombëtare, e cila kuptohet nga tërë bota. Me politikën e saj prej dekadash Greqia synon të kontribuojë për integrimin e vendeve ballkanike në Evropën e bashkuar, në Evropën e demokracisë, të drejtave të njeriut, të kulturës dhe qytetërimit.”

Rreth 54 monumente të trashëgimisë kulturore botërore ka në Evropën Juglindore. Ato janë përfshirë në një ekspozitë multimediale, e cila u prezantua në takimin e nivelit të lartë në Varna. Ideja e autorëve të ekspozitës është që ajo të prezantohet në tërë Bullgarinë, si dhe në vendet e tjera ballkanike. Në të është mbledhur informacion për 30 mijë objekte kulturore në botë. Ekspozita është hapi i parë praktik pas Deklaratës së Varnës, me të cilën krerët e shteteve u angazhuan të punojnë për ruajtjen, popullarizimin dhe përdorimin e trashëgimisë së Evropës Juglindore.

Krasimir Martinov, Bullgari

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›