Kapiteni Çela: Ky do të jetë sezoni i Lushnjës
Nga ana e drejtuesve të skuadrës verdhejeshile është zyrtarizuar dje edhe portiere Ibhaim Bejte, ndërkohë që përforcimet do të vazhdojnë
Pas prezantimit të ditëve më parë të donatorëve, të cilët do të jenë një ndihmë serioze për skuadën sezonin e ri, Lushnja vijon të përforcohet me futbollistë cilësorë. Donatorët, në bashkëpunim me presidencën, kanë deklaruar që fillim se do ti forcojnë të tre repartet. Ata kanë zyrtarizuar dje afrimin e portierit Ibrahim Bejte, i cili e ka mbrojtur portën lushnjare edhe sezonin e kaluar.
Nga burime pranë grupit të donatorëve, mësohet se ditët në vazhdim do të ketë afrime të tjera cilësore, që do të mundësojnë arritjen e objektivit për kthimin në Superligë. Nga ana tjetër, në terren, skuadra e drejtuar nga trajneri Bano vazhdon seancat stërvitore paradite dhe pasdite.
Lushnja gjatë kësaj jave do të stërvitet në ambientet e stadiumit Roza Haxhiu, për të kaluar javën që vjen në Divjakë, ku do të kryejë dy javë përgatitje. Trajneri Artan Bano, në seancën e pasdites, ka zhvilluar dje një ndeshje kontrolli, ku ka parë se cila është forma dhe ecuria e futbollistëve që do të qëndrojnë në skuadër.
Kapiteni Çela Kapiteni i skuadrës verdhejeshile, Gentian Çela, i cili ka firmosur pak ditë më parë, ka folur për kontigjentin dhe frymën e re në radhët e lsuhnjarëve. Ndoshta kjo që po ndodh duhet të kishte ndoshur më parë, në mënyrë që të kishim më shumë kohë në dispozicion.
Megjithatë, edhe pse ka një muaj e pak deri në fillim të sezonit të ri, jam i mendimit se djemtë do tia dalin të marrin maksimumin në fazën përgatitore. Jam i kënaqur, që nga donatorët u ruajt pjesa më e mirë e skuadrës së sezonit të shkuar.
Për këtë sezon të gjithë e kemi të qartë se objektivi i vetëm do të jetë ngjitja në Superligë. Besoj se gjithçka do të jetë perfekte midis presidences dhe donatorëve, por edhe midis stafit teknik dhe ne futbolistëve.
E them me bindje se ky është sezoni i Lushnjës dhe këtë do ta shikoni që në javët e para të kampionatit, – ka thënë fantazisti lushnjar dhe kapiteni i skuadrës, Gentian Çela.
Lushnja përfiton një investim prej 182.000 eurosh
Këshilli Bashkaik i Lushnjës, në mbledhjen e djeshme, ka ratifikuar marrëveshjen ndërmjet presidencës së klubit të futbollit dhe FSHF-së, e nënshkruar që më 17 korrik mes palëve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, klubi lushnjar do të përfitojë një investim prej 182 mijë eurosh, investim që fillimisht do ta mbulojë federata. Sipas marrëveshjes së firmosur nga presidenti i Lushnjës, Fatos Tushe, dhe nga Eduard Prodani, sekretar i FSHF-së, 48% e shumës, pra rreth 87.600 euro, do të paguhen nga bashkia deri në fund të vitit 2013, ndërsa 52% e vlerës së investimit, 94.800 euro, do të paguhet nga FSHF-ja.
Klubi i futbollit të Lushnjës, me anë të kësaj marrëveshjeje, përfiton tapetin e ri për fushën e stadiumit Roza Haxhiu, me përmasa olimpike, 74 me 120.4 metra, si dhe rikonstruksionin e një aneksi stërvitor ngjitur me stadiumin.
