Teliti: “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile krijon lehtësi dhe siguri për qytetarët”
TIRANË – “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile është një shërbim që do të lehtësojë në mënyrë të jashtëzakonshme shërbimet ndaj qytetarëve dhe do të jetë një garanci për të dhënat e tyre”, - tha dje për mediat drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Armand Teliti. Sipas tij, brenda vitit 2008, sistemi i adresave do të jetë gati për çdo familje dhe në fillim të vitit 2009, kur të fillojë aplikimi dhe shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike, qytetari do të mund të konsultojë me sistemin ku aplikon për letërnjoftimin dhe adresën që ai ka. Z. Teliti e vlerësoi modernizimin e shërbimit të gjendjes civile si një moment që ndodh një herë në jetën e shtetit. Në momentin që një regjistër civil është krijuar, - u shpreh ai, - ky regjistër përshtatet, përditësohet me të dhëna të ndryshme që hyjnë e dalin nga kjo data bazë. Sipas z. Teliti, çdo aktivitet rrotullohet rreth individit, identiteti i të cilit është diçka shumë e rëndësishme. “Ky regjistër do të jetë burimi i vetëm i identitetit të qytetarëve shqiptarë dhe për këtë arsye mbi këtë regjistër do të bëhen aplikime të ndryshme, për të bërë të mundur lidhjen e data bazave të tjera, me data bazën qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme”, - tha z. Teliti. Kjo do të bëjë të mundur, - sqaroi z. Teliti, - që sigurimet shoqërore, tatim-taksat, shërbimi arsimor, shërbimi mjekësor, shërbime të tjera, qofshin edhe private, të mos kërkojnë më dokumente të tjerë përveç lidhjes me regjistrin civil për të verifikuar identitetin e qytetarëve që paraqiten përpara tyre për të marrë shërbime të ndryshme.
Ishin në kërkim për vjedhje, ndalohen nga policia
DURRËS - Strukturat për kërkimin në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës bënë të mundur dje kapjen e një personi të kërkuar për një vepër penale kundër pasurisë. Konkretisht bëhet fjalë për shtetasin Rajmond Troplini, vitlindja 1984, lindur e banues në fshatin Arapaj Durrës, me arsim 8 klasë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë, beqar. Shtetasi në fjalë është shpallur në kërkim nga struktura kundër krimeve ndaj pronës Durrës më datë 23 korrik 2008. Ai dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetasin Arbër Çela (i ndaluar më parë nga policia), në muajin qershor të vitit 2008, kanë vjedhur sende të ndryshme si: gjeneratorë, gurë flesibël, një sasi kabëlli elektrik, etj. në aktivitetin lavazh dhe palestër, pronë e shtetasit F.B., në Lagjen Nr. 13 Durrës. Vjedhjen e këtyre materialeve këta shtetas e kanë kryer në kohë të ndryshme, në mënyrë të vazhdueshme, përgjatë kohës kur ishin të punësuar në këtë aktivitet. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Durrës ka filluar procedimin për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim dhe nga puna e kryer ishte bërë e mundur kapja e ndalimi i shtetasit Arbër Çela; njëkohësisht që për shtetasin Rajmond Troplini ishte bërë shpallja e tij në kërkim. Si rezultat i punës së kryer nga shërbimet e Policisë, gjatë ditës së djeshme u mundësua edhe kapja e shtetasit Rajmond Troplini. Materialet shtesë në ngarkim të tij do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.
14 Nentor 2008