Torturoi vjehrrin, në pranga 36-vjeçarja
DURRËS –Problemet dhe debatet në familje degjeneruan në një dhunë të pazakontë. Një 36-vjeçare është ndaluar mbrëmjen e së mërkurës pas denoncimit të bërë nga vjehrri i saj se e kishte dhunuar dhe goditur me sende të forta. Policia e Durrësit ka njoftuar zyrtarisht ndalimin e 36-vjeçares, ndërsa pretendimet e bëra në denoncim nga vjehrri i saj do të verifikohen pasi alibia e tij është hedhur poshtë menjëherë nga deklarimet e të ndaluarës. “Më datë 13.11.2008 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases L.H., vitlindja 1973, e padënuar më parë, e martuar, me arsim 8 klasë. Procedimi penal ndaj kësaj shtetaseje filloi bazuar në kallëzimin e bërë nga një shtetas 84-vjeçar, i cili është vjehrri i saj. Ky shtetas pretendon se më datë 13.11.2008, rreth orës 17.00, është goditur me mjete të forta në banesë nga nusja e djalit të tij, shtetasja L.H., duke pësuar dëmtime të lehta. Aktualisht, i dëmtuari ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Materialet për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit të Durrësit”, - njoftonte dje policia e Durrësit.
15 Nentor 2008