E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qethet” administrata, qeveria vendos shkurtimin e numrit të punonjësve në 2009-n



Ervin Koçi

Qeveria ka parashikuar sërish shkurtime në Administratën Shtetërore për vitin 2009 si në numrin e punonjësve, ashtu edhe në akordimin e fondeve të pagave dhe shpenzimeve për institucionet. Në projektbuxhetin e vitit 2009 pritet që administrata shtetërore të “krasitet” sërish përsa i përket numrit të punonjësve në institucionet e pavarura. Gazeta “Albania” ka arritur të sigurojë listën e institucioneve, të cilat do të preken nga reforma, si dhe numrin e punonjësve që do të ketë secili institucion i pavarur. Sipas projektbuxhetit 2009, i cili është miratuar tashmë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, numrin më të madh të punonjësve do ta ketë Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, “buxheti 2009 për të gjitha institucionet e pavarura do të jetë 5.478 410.000 lekë gjithsej”.

Reforma ndaj punonjësve

Si të mos mjaftonin shkurtimet e deritanishme, edhe vitin e ardhshëm qeveria ka njoftuar për një reformë të re që do të prekë kryesisht institucionet e pavarura të shtetit. Sipas të dhënave, numri i punonjësve në institucionet e pavarura për vitin e ardhshëm do të jetë 3134 zyrtarë. Numrin më të madh do ta ketë Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor me 1230 individë të punësuar. Më pas vijon Prokuroria e Përgjithshme, në të cilën do të punojnë 807 veta dhe me radhë vijojnë institucionet e tjera. Sipas projektbuxhetit, në institucionin e Presidencës do të punojnë rreth 80 persona. Ndërsa Avokati i Prokurimeve do të ketë numrin më të vogël të punonjësve me vetëm 15 punonjës. Në Ministrinë e Bujqësisë, numri i punonjësve është parashikuar të jetë 2114 punonjës, ndërsa në Ministrinë e Brendshme numri i punonjësve do të jetë 13125 individë.

Buxheti

Buxheti i vitit 2009 për 16 institucionet e pavarura shtetërore do të jetë 5.47 miliardë lekë dhe do të përfshijë të gjitha shpenzimet e këtyre institucioneve. Ndërkohë, projektbuxheti i vitit 2009 është gjithsej 5 miliardë dollarë, gjë që është konfirmuar nga vetë përfaqësuesit e Financave pas miratimit të tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Sipas projektbuxhetit, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve do të jetë dikasteri që do të marrë më shumë fonde nga ky buxhet, të cilat do të jenë të destinuara kryesisht në projektet për infrastrukturën rrugore. Pra nga buxheti i vitit që vjen, Ministria e Transportit do të marrë 44 miliardë lekë, ndërkohë që 12 miliardë lekë për këtë ministri akordohen nga financimet e huaja (donatorët). Ndërsa totali i shpenzimeve kapitale është parashikuar të jetë 56 miliardë lekë. Shërbimi Informativ Shtetëror është parashikuar që shpenzimet korrente t’i ketë 1 miliard lekë, ndërsa buxhetin 59 milionë lekë. Po sipas projektbuxhetit 2009, pushtetit lokal i akordohen 8.7 miliardë lekë për të përfunduar projektet e nisura në infrastrukturë. Fondi i kontingjencës prej 6 miliardë lekësh dhe fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve përdoret me vendime të Këshillit të Ministrave.

Shtohen fondet për pushtetin vendor në projektbuxhetin e vitit 2009

Fondet për pushtetin vendor në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 janë shtuar sërish duke u lidhur me një shpërndarje që është bërë sipas zonave elektorale. Në bazë të këtij projektbuxheti, i cili tashmë ka mbërritur në Kuvend dhe do të diskutohet në të gjitha komisionet, fondet për pushtetin vendor janë 12 herë më të larta në vitin 2009 në krahasim me vitin 2005. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Programimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, për vitin 2009 fondet janë përqendruar për të përfunduar ato vepra që kanë nisur. "Granti konkurrues do të jetë rreth 10 miliardë lekë, fonde që do të akordohen për pushtetin vendor, kur dihet që fondi për infrastrukturën kombëtare në vitin 2005 ka qenë 6 miliardë lekë", - thanë ekspertët. Sipas tyre, rritja e fondeve ofron mundësi shumë më të mëdha për të modernizuar infrastrukturën vendore dhe për të përmirësuar shërbimin pranë komuniteteve vendore, që do të jetë një nxitje shumë e madhe për intensifikimin e rritjes ekonomike në të gjithë territorin e vendit.

Numri i punonjësve në institucionet e pavarura në vitin 2009

Nr. Institucioni Nr. i punonjësve

1. Presidenca 80
2. Kuvendi 440
3. Kontrolli i Lartë i Shtetit 160
4. Prokuroria e Përgjithshme 807
5. Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor 1230
6. Gjykata Kushtetuese 50
7. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare 45
8. Shkolla e Magjistraturës 22
9. Këshilli i Lartë i Drejtësisë 41
10. Avokati i Popullit 50
11. Komisioni i Shërbimit Civil 28
12. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 60
13. Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive 41
14. Autoriteti i Konkurrencës 35
15. Avokati i Prokurimeve 15
16. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale 30
17. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve 2114
18. Ministria e Brendshme 13.125

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›