E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet në mes të Durrësit 25-vjeçari, në pranga 3 autorët

Vritet me katër plumba Saimir Balla pas një konflikti verbal

Habjon Hasani

Ekzekutohet në qendrën e qytetit të Durrësit 25-vjeçari Saimir Balla. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:16 në Lagjen Nr.4, prapa Pallatit të Kulturës, përpara spitalit të vjetër në këtë qytet. Sipas të dhënave të para nga policia, viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pesë orë pas vrasjes është vetëdorëzuar në Komisariatin e Laçit Elis Tefa, njëri nga tre bashkëpunëtorët, i cili ka asistuar në vrasjen e 25-vjeçarit Saimir Balla. Pas negociatave me policinë e Laçit dhe atë të Lezhës, 21-vjeçari është vetëdorëzuar. Ngjarja tronditi qytetin ndërsa nuk dihet se cilat janë shkaqet dhe se nëse i riu ishte pjesë e ndonjë bande apo jo. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga edhe bashkëpunëtorët e tjerë: Orgest Dervishi dhe Xhulio Mançe. Ngjarja ndodhi rreth mesditës së djeshme në qendër të qytetit, në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës, kur 25-vjeçari Saimir Balla, i cili lëvizte me një mjet tip Range Rover, është goditur me katër plumba pistolete në gjoks. Mësohet se edhe viktima ishte i armatosur, por nuk ka mundur të veprojë pasi ndaj tij është zbrazur i gjithë karikatori i pistoletës së autorit. Një polic i qarkullimit rrugor ka qenë aty pranë dhe i ka dhënë ndihmën e parë 25-vjeçarit duke e çuar në spital në gjendje të rëndë me makinën e viktimës. Por sapo ka mbërritur në dyert e spitalit, 25-vjeçari Saimir Balla ka humbur jetën pa mundur të marrë ndihmën mjekësore. Balla nuk njihet për kontigjent nga policia apo për pjesëmarrje në ndonjë bandë kriminale dhe shkaqet e një vrasjeje të tillë mbeten enigmë për momentin. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet që çuan në vrasjen e të riut.
Hetimi
Policia shkoi në vendngjarje dhe menjëherë efektivët e saj morën në pyetje dëshmitarët okularë. Të dhënat e para dëshmojnë se në fillim ka pasur një sherr mes viktimës dhe tre personave të tjerë. Më pas, sherri ka degjeneruar në nxjerrjen e armëve. Forcat blu të qytetit të Durrësit pohojnë se edhe viktima kishte pasur armë me vete, por nuk ka mundur ta nxjerrë atë pasi është qëlluar nga kundërshtari i tij me pesë plumba pistolete. 25-vjeçari nga Shkozeti i Durrësit ka gjetur vdekjen teksa po hynte në sallën e operacionit, pasi plumbat e kishin goditur në gjoks.
Dyshimet
Policia fillimisht tha se një person është i dyshuar, por nuk bëri të ditur emrin për arsye hetimi. Pesë persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit si dëshmitarë okularë të vrasjes që tronditi qytetin bregdetar në mes të ditës. Gjithashtu, ekspertë të Kriminalistikës dhe prokurorë kanë punuar dje në vendngjarje për të mbledhur provat që çuan në zbardhjen e motiveve dhe të autorëve të kësaj vrasjeje. Policia ka mundur të sigurojë disa dëshmi lidhur me zhvillimet që ndodhën fare pak çaste para se 25-vjeçari Balla të ekzekutohej. Nga të dhënat e para Balla rezulton se ka replikuar ashpër me tre personat tashmë të arrestuar, ndërsa replikat dhe sharjet reciproke kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve por edhe të disa personave të tjerë që zhvillojnë biznes në zonë. Askush nuk ka mundur të ndërhyjë gjatë kohës që janë zhvilluar debatet, pasi në pak minuta gjithçka ka degjeneruar dhe një nga personat që po replikonte me Ballën ka nxjerrë pistoletën para tij dhe e ka gjuajtur me katër plumba duke e lënë të vdekur në vend. Policia është njoftuar vetëm pasi është bërë vrasja, ndërsa menjëherë efektivët blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë ngritur rreth zonës disa postblloqe për të bërë të mundur rrethimin e shpejtë të autorëve.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›