Ministri i Financave, kërkesë donatorëve për të rritur investimet në vend
Ministri i Financave, Ridvan Bode, u ka kërkuar dje donatorëve të rrisin investimet në sektorët prioritarë për zhvillimin e vendit. Gjatë fjalës së tij në tryezën e rrumbullaktë të qeverisë shqiptare me donatorët, të organizuar në Tiranë, ministri Bode u kërkoi donatorëve të kontribuonin me investime në punët publike. Duke e konsideruar kontributin e donatorëve si të çmuar për qeverinë shqiptare, kreu i Financave Publike kërkoi prej tyre për të kontribuar në këtë periudhë krize financiare globale për të investuar në punët publike, si dhe rishikimin e procedurave për të qenë në këtë mënyrë më efektiv dhe më prezent në investime. Bode u bëri të ditur gjithashtu donatorëve një sërë lehtësish të ndërmarra nga qeveria shqiptare për investitorët, si përjashtimi i organizatave joqeveritare nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ligj i cili, sipas tij, është miratuar në muajin tetor të këtij viti. "Nxitja e biznesit nëpërmjet politikave lehtësuese fiskale e administrative ka ndihmuar në stabilitetin makroekonomik, ndërsa përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, rinovimi i teknologjive në sektorë të ndryshëm dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore, kanë rritur eficiencën e ekonomisë duke e kthyer këtë të fundit gjithnjë e më tepër në një faktor të rritjes ekonomike", - deklaroi ministri Bode.
Projektbuxheti 2009, subvencionet do të kapin masën 2 miliardë lekë
Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 është planifikuar një rritje për subvencionet me 2.8 për qind në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë në masën 2 miliardë lekë. Fushat e financimit të subvencioneve do të vazhdojnë të jenë: uji i pijshëm, hekurudhat, librat shkollorë, ndërmarrjet e trajtimit të studentëve, etj. Këto shpenzime parashikohen në masën 2 miliardë lekë për vitin 2009. Sipas drejtores së Programimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, në përputhje edhe me rekomandimet nga Banka Botërore për një ulje të subvencioneve, “të gjitha institucioneve u është kërkuar të ndërmarrin reforma në menaxhimin më të mirë të sektorit dhe përmirësimin e performancës financiare të tyre”.
Rritet kursi i dollarit në këmbim të lekut
Rritja e kursit të dollarit në këmbimet valutore kundrejt lekut në fundin e muajit të kaluar, kur shënoi një rritje mbi 7 lekë, është shoqëruar me paqëndrueshmëri gjatë kësaj jave. Këto ditë vërehet një rritje e lehtë e vlerës së dollarit kundrejt lekut në krahasim me fillimin e javës. Një dollar amerikan këmbehet me 96.9 lekë dhe shitet me 97.5 lekë. Në agjencitë e këmbimit valutor, në fillimin e kësaj jave një dollar u ble me 96 lekë dhe u shit me 96,4 lekë, në mesjavë një dollar u ble me 98,5 lekë dhe u shit me 98,9 lekë, ndërsa dje dollari u ble me 96,6 lekë dhe u shit me 97 lekë. Dje (14 nëntor), kursi i dollarit kundrejt lekut ka zbritur deri në 2 lekë më pak në krahasim me një ditë më parë.
Sipas specialistëve, në bursën ndërkombëtare dollari forcohet ndjeshëm kundrejt euros, ndërsa euro vazhdon të mbajë të njëjtin ritëm që ka patur edhe në vitin e shkuar. Një euro këmbehet me 123 lekë dhe shitet me 123.6. Forcimi i monedhës së përbashkët në Shqipëri shihet si efekt sezonal.
15 Nentor 2008