E Diel, 1 Nëntor 2026

Evazioni fiskal me bastet sportive, hetim në tre qytete



Një aksion i gjerë policor është shtrirë në Korçë, Elbasan dhe Gjirokastër, ku policia e shtetit ka mundur të mbyllë disa pika bastesh. Policia e Korçës ka organizuar një aksion kundër lotarive të paligjshme dhe nën hetim janë vënë gjashtë persona si pasojë e këtij operacioni të koduar “Gambin”. Burimet zyrtare nga ky institucion thanë se gjatë ditës së djeshme nga ana e Seksionit kundër Krimit Ekonomik janë kryer operacione për kontrollin dhe verifikimin e lotarive sportive dhe atyre të fatit, të hapura në disa pika të qarkut. Nga ky operacion u gjetën disa pika të hapura pa licencën përkatëse dhe për personat përgjegjës u kryen veprimet procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “organizimit të lotarive të palejuara”. Nën hetim janë vënë: Iljaz Dino, 26 vjeç, nga fshati Dersnik i Korçës, për lojëra fati; Eriols Haxhillari, 25 vjeç, nga Korça, për loto sporti; Robert Qafko, 43 vjeç, nga Pogradeci, për loto sporti; Genci Spaho, 39 vjeç, nga fshati Pilur i Devollit, për lojëra fati; Betim Koçiu, 38 vjeç, nga Korça, për loto sporti; Luan Tolloxhina, 50 vjeç, nga Pogradeci, për loto sporti. Në vijim të operacionit “Gambing”, për parandalimin dhe rritjen e forcës goditëse ndaj aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe në zbatim të planit të masave të hartuar për këtë qëllim, më datën 13.11.2008, rreth orës 21.00, specialistët e Sektorit të Luftës kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë ushtruar një sërë kontrollesh në qytetin e Gjirokastrës. Gjithashtu në Gjirokastër u kryen sekuestrime në disa pika lojërash fati që dyshohet se operojnë jashtë kritereve ligjore. “Si rezultat i këtyre kontrolleve rezultoi se: Në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër shtetasi Kastriot Meçan Kaliaj, i datëlindjes 1956, lindur dhe banues në Gjirokastër, në një lokal të marrë me qira ushtronte aktivitet me l ojëra fati.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 14 kompjutera elektronikë dhe një ruletë elektronike, të cilat ishin pa dokumentacionin përkatës (pa licencë, pa kolaudim)”, - njoftonte dje policia e shtetit. Operacioni është zhvilluar dhe në qytetin e Elbasanit ku nën hetim kaluan katër pika të basteve sportive.
Sipas policisë, gjatë operacionit u sekuestruan 18 aparatura, që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit. Ky operacion u organizua nga sektori kundër krimit financiar dhe Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›