E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, projekti për festimet e Ditës së Verës

Bashkia e Tiranës organizon për Ditën e Verës një festë të madhe në qendër të qytetit me të gjithë të rinjtë. Disa kompani të mëdha biznesi do të jenë mbështetëse të iniciativës së Bashkisë së Tiranës, për të festuar denjësisht këtë ditë tradicionale për vendin. Fëmijët do të gjejnë aktivitete interesante për moshën e tyre pranë lulishtes së Monumentit të Skënderbeut, ku do të zhvillohet projekti tashmë i suksesshëm “Të lindur për të lexuar”, ndërsa Cirku i Tiranës me klounët e tij, do të dhurojë çaste të bukura e interaktive pranë parkut “Rinia”. Shumë koncerte me këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë dhe alternative, DJ dhe balerinë modernë apo klasikë, do të zhvillohen në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës për të argëtuar të rinjtë. Banda e qytetit starton festimet në orën 10:00, për t’u pasuar menjëherë nga Ansambli Popullor Tirana.
Dy evenimente spektakolare do të zhvillohen për herë të parë në kryeqytet. Në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza”, të modifikuar si një arenë, kampionë të botës në Moto Jump, do të japin spektakël të vërtetë adrenaline për publikun e gjerë.
Në orën 18:00, në perëndim të diellit, nga fillimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, një karvan emocionues artistësh francezë do të parakalojë i shoqëruar nga një anije gjigante, për të performuar me muzikë dhe audio-krijimin romantik të hënës. Në orën 19:00, karvani francez do të mbërrijë në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të instalojnë një pishe gjigante të mbushur me shkumë, që profesionalisht quhet “Chinese Pool”. Fëmijët do të argëtohen pa masë mes shkumës e fishekzjarrëve, të cilat do të jenë epilogu i performancës së “Malabar”, por edhe përmbyllja e kremtimeve të një dite pranvere të mbushur me festime.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›