E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e reja të dypunësimit të mjekëve në klinikat private

Ndalimi i ushtrimit të aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë. Spitalet lejohen të japin me qira ambientet për shfrytëzim privat të mjekut
Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj, ku janë përcaktuar rastet kur një mjek apo infermier mund të punojë në një klinikë private. Kështu, punonjësi i Shëndetësisë, i punësuar me orar të plotë në institucion publik shëndetësor, mund të ushtrojë veprimtari private në një klinikë vetëm pas orarit të rregullt të punës. Pra, një mjek mund të punojë te privati vetëm kur i ka shlyer detyrimet ndaj institucionit shtetëror.
Institucionet shëndetësore publike, me qëllim ushtrimin e veprimtarisë private nga punonjësit e Shëndetësisë, lejohet të japë me qira ambientet dhe pajisjet e institucionit sipas normave të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë. Në bazë të draftit të hartuar nga Ministria, mjekët kanë të drejtë që të ushtrojnë punën e tyre dhe të kryejnë vizita me aparaturat dhe ambientet e Spitalit shtetëror. Në disa raste mjekët ndalohen që të ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke u konsideruar i jashtëligjshëm.
Ndalimi i aktivitetit
Drafti i hartuar nga specialistët e Shëndetësisë kanë përcaktuar disa kritere që ndalojnë ushtrimin e aktivitetit privat nga mjekët. Në bazë të nenit 27 të këtij projektligji, ndalimi i aktivitetit privat në fushën e Shëndetësisë bëhet për këto raste:
Fekondim artificial, në rastet kur dhuruesi është person i panjohur për çiftin; përcaktim atësie; grumbullim i gjakut dhe derivateve të tij; marrjen, ruajtjen, transportin dhe transplantimin e indeve dhe organeve njerëzore, përveçse në raste të autotransplantimit; shërbimet e morgut; veprimtaritë në fushën e shëndetit publik të rregulluara me ligje të veçanta.
Drejtimi i institucioneve shëndetësore private, realizohet nga organet drejtuese të institucionit shëndetësor privat dhe parashikohen në aktin e tyre të themelimit.
Punonjësit e Shëndetësisë
Kujdesin shëndetësor e zbatojnë punonjësit e Shëndetësisë të profileve dhe niveleve të ndryshme, bazuar në klasifikimin e profesioneve në sistemin shëndetësor, sipas listës së
miratuar nga ministri i Shëndetësisë. Pas përfundimit të nivelit shkollor përkatës, i diplomuari duhet të kryejë praktikën e
detyruar profesionale. Pas përfundimit të praktikës së detyruar profesionale, praktikanti i nënshtrohet provimit profesional.
Praktika e detyruar profesionale dhe provimi profesional për të gjitha kategoritë e punonjësve shëndetësorë, përcaktohen nga Ministri i Shëndetësisë. Të gjithë individët që kanë kaluar provimin profesional i nënshtrohen procesit të licencimit sipas nenit 37 të këtij ligji. Kujdesi shëndetësor për popullatën, në çdo nivel dhe profil, ofrohet në mënyrë të pavarur
vetëm nga punonjësi shëndetësor i licencuar.
Specializimet
Pas regjistrimit dhe licencimit, punonjësi i Shëndetësisë me kualifikim universitar ka të drejtë të aftësohet në fusha specifike të kujdesit shëndetësor nëpërmjet specializimit. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Urdhrat e profesionistëve, përpilon planin afatmesëm të specializimeve.
Specializimi i punonjësve të Shëndetësisë realizohet në bazë të rregullave të përcaktuara në Ligjin Nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë“.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›