E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, në garë dhe firma e skandaleve ndërkombëtare

Firma “Sagem” ka shkaktuar skandal qeveritar në Nigeri. Në Shqipëri kjo firmë është favorizuar disa herë
Habjon Hasani
Tenderi i kartave të identitetit në vendin tonë ka klasifikuar si një ndër pretendentet e mundshme dhe firmën franceze ”Sagem”. Ndërkohë që kjo e fundit duket se në mënyrë të përsëritur ka qenë epiqendra e disa skandaleve ndërkombëtare që lidhen pikërisht me abuzimet në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Duket se rasti më flagrant ka lidhje me Nigerinë, ku katër vite më parë, si pasojë e këtij skandali, u arrestuan tre ministra dhe dy zyrtarë të lartë. Kjo ngjarje është pasqyruar asokohe në mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC, Reuters, CNN etj. Ndërkohë që sipas raportimit të BBC-së, mësohet se skandali ka lidhje me dy probleme themelore, që janë karakteristike edhe për Shqipërinë. Sikurse dhe në Shqipëri, asokohe shteti nigerian nuk kishte regjistër themeltar të popullsisë të përditësuar, fakt ky që ndikonte shumë në rregullsinë e zgjedhjeve të këtij vendi. Ndërkohë që ishte firma ”Sagem” ajo që do të krijonte regjistrin e përditësuar themeltar, rezultoi se edhe pse kjo firmë kishte fituar tenderin prej 214 milionë dollarësh për të kryer këtë detyrë, nuk e krijoi regjistrin të përditësuar sikurse parashikohej në kontratë. Ky fakt u bë shkak që opozita të jepte alarmin për manipulimin e zgjedhjeve, pasi logjikisht tenderi prej 214 milionë dollarësh për “garancinë” e kartave të identitetit nuk e kishte kryer misionin. Nisur nga akuzat, firmës ”Sagem” iu caktua një kohë e dytë për të kryer përditësimin, por edhe pasi skadoi afati i dytë, firma ”Sagem” shpërndau vetëm një pjesë shumë të vogël të kartave të identitetit. Sipas mediave ndërkombëtare, një vit pas skadimit të afatit, firma ”Sagem” nuk kishte arritur të shpërndante as 10 për qind të kartave të identitetit. Për pasojë, zgjedhjet e ardhshme në Nigeri u zhvilluan në mungesë të kartave të identitetit. Më tej opozita akuzoi disa ministra se kishin pasur lidhje dhe bashkëpunim antiligjor me këtë firmë, ndërsa këta ministra pak më vonë u arrestuan. Po në Shqipëri ka lidhje paraprake mes kësaj firme dhe zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme?
Lidhja 1
Në dallim me të gjitha firmat e tjera pretendente për fitimin e projektit për prodhimin e kartave të identitetit, ”Sagem” ka pasur dy herë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Brendshme të qeverisur nga demokratët. Nëse i referohesh Raportit të korrikut të vitit 2007 të misionit europian “PAMECA”, në të konfirmohet fakti se është pikërisht firma ”Sagem” e cila menaxhon të gjithë rrjetin e brendshëm kompjuterik të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që është posaçërisht Ministria e Brendshme ajo që merret me tenderin dhe procedurat për përzgjedhjen e firmës që do të fitojë projektin për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Nëse i referohesh Raportit të PAMECA-s, aty dallohet qartë se specialistët e ”Sagem”-it dhe ata të Ministrisë së Brendshme kryejnë së bashku dhe kontrollet në pika të ndryshme të varura nga Ministria”. Koordinimi dhe zbatimi i Infrastrukturës së Komunikimit të të Dhënave për PSH. Në maj 2007, “Sagem & Page Europa” përfunduan një inspektim pikash në bashkëpunim me një specialist të PSH-së. Një raport i sondazhit është kryer në qershor 2007 kundrejt përfituesit dhe DKE, shkruhet në raportin e PAMECA-s.
Lidhja 2
Fakti i dytë që lidh zyrtarët e Ministrisë së Brendshme me firmën ”Sagem” e ka zanafillën në një vendim të vitit 2006 të qeverisë ”Berisha” lidhur me firmën që do të përcaktonte parametrat e kartës së identitetit. Duke përdorur procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë, qeveria, më datë 12.04.2006 vendosi: Lejimin e Ministrisë së Brendshme, që, për fondin limit prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh, miratuar në buxhetin e vitit 2006, të përdorë procedurën "prokurim i drejtpërdrejtë", me shoqërinë "Smart Card Integrators, Inc, për prokurimin e shërbimit "Konsulencë në procesin e përgatitjes së specifikimeve, teknike, përfundimtare, të kartës së identitetit". Por sikurse rezultoi më vonë, firma "Smart Card Integrators, Inc”, e përzgjedhur ”apriori” nga qeveria, kishte një marrëveshje pikërisht me firmën prodhuese "Sagem", të firmosur në nëntor të vitit 2001. Kuptohet që kjo marrëveshje bashkëpunimi biznesi mes këtyre firmave ka si objekt edhe sipërmarrje të tjera. Sikurse rezultuan hetimet e prokurorëve në Nigeri, ”Sagem” ishte favorizuar nëpërmjet nënkontraktorëve të saj dhe bashkëpunimit të kurdisur me ”prokurim të drejtpërdrejtë”.

Projekti, shtatë firma paraqitën ofertat

Më 28 shkurt të këtij viti, shtatë kompani paraqitën ofertat në Ministrinë e Brendshme për projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. "Bundes-Druckerei", kompani gjermane, "Indra" nga Spanja, "Oberthur" dhe "Sagem", të dyja nga Franca, "Consorzio-R.I.E" kompani italiane, "Zetes" kompani belge, si dhe "Nadra" nga Pakistani, janë shtatë kompanitë e huaja që kanë paraqitur kërkesat e tyre në tenderin e hapur ndërkombëtar për prodhimin e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave biometrike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i kryesuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, pranoi ofertat e shtatë kompanive të huaja të interesuara për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kryetari i komisionit, Poni, bëri të ditur për të pranishmit se i gjithë procesi i pranimit dhe vlerësimit të ofertave, si dhe procesi i hapjes së zarfeve me ofertat përkatëse, u krye në transparencë të plotë dhe nën monitorimin online të kamerave. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përbëhet nga 9 persona: kryetari, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, si dhe anëtarë: zv.ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, Florian Nuri, Xhevdet Kopani, Andja Pustina, Edmond Gjoleka, Sokol Sheti e Etjon Kapidani.

Afatet, specialistët, dyshime për zgjedhjet e 2009-s

Projekti i kartave të identitetit vihet në dyshim se nuk mund të mbarojë brenda afatit për zgjedhjet e vitit 2009. Ky konstatim lëshohet nga ekspertët e firmave që kishin shfaqur interes për këtë tender, megjithatë, ministri i Brendshëm ka deklaruar të kundërtën. Sipas ministrit Nishani, projekti në fjalë është parashikuar që ato të mbarojnë brenda afatit të caktuar, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të votojnë me kartë identiteti gjatë zgjedhjeve të vitit 2009. Por, sipas parashikimeve të ekspertëve, kjo mund të jetë e mundur vetëm nëse tenderi fitohet nga një firmë, e cila ka infrastrukturën të gatshme për të realizuar projektin. Nga parashikimet, edhe nga ato të Ministrisë së Brendshme, shpallja e fituesit të tenderit të kartave të identitetit e pasaportave biometrike mund të realizohet nga fundi i muajit mars. Pas kësaj, lidhja e kontratës mes firmës fituese dhe organit kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Brendshme, mund të mbyllet brenda muajit prill, pra rreth një muaj më vonë. Në muajin prill, firma fituese duhet të nisë punën për përgatitjen e infrastrukturës, që sipas kritereve specifike në dokumentacionin e tenderit, duhet të ndërtohen 390 qendra aplikimi në të gjithë Shqipërinë. Një qendër kryesore e database do të krijohet në Tiranë dhe veç kësaj do të krijohet edhe qendra rezervë. Madje, sipas dokumentacionit të tenderit të kartave të identitetit, ndërtimi i qendrës kryesore dhe i qendrave lokale të aplikimeve duhet të jenë sipas standardeve dhe kërkesave specifike që paraqet projekti.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›