E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku po shkojmë në ekonomi?

Fatos Çoçoli

193 firma ndërtimi të intervistuara në një studim të bërë të njohur kohët e fundit dëshmuan se çmimet e ndërtimit për periudhën janar-shkurt 2008 janë rritur me 9 për qind, në krahasim me të njëjtin interval kohor një vit më parë. Por se mos vetëm ndërtimi po rritet në këto ditë! Gjalpi, vaji i gatimit, tashmë sërish karburantet po rriten me 14-25 për qind. Të gjitha gjasat të çojnë në frikën se mundet që inflacioni këtë vit ta ketë seriozisht dhe të ngrihet lart i pandalshëm. Lavdi Zotit që po bien shira vazhdimisht këtë dimër dhe që u bënë dy muaj që nuk po duket më kriza e frikshme energjetike, pse edhe atë do të kishim mangët. Ndërkohë, të vetmit sektorë që vijojnë rritjen janë turizmi dhe bujqësia. Por këta sektorë ndeshen me vështirësi të shumta dhe qeveria duket e interesuar të kryejë investime e harxhojë fonde të shumta në rrugë, spitale apo shkolla(gjëra shumë të mira), por jo në sektorët e mundësisë për shqiptarët që të zënë punë apo të bëjnë para. Lind natyrshëm një pyetje: ku duhen shpënë paratë publike që të jetojmë më mirë? Sigurisht, në shërbimet publike ndaj popullatës (shëndeti, arsimimi) duhen derdhur paratë, por ndoshta ia vlen të investohen më shumë para edhe në turizëm apo bujqësi. Duke bërë disa sakrifica në sektorët e tjerë pa dyshim jetësorë, por që nuk sjellin të ardhura e mundësi rritjeje ekonomike. Sektori privat në ekonomi arriti kulmin e zhvillimit të tij spontan gjatë kësaj periudhe tranzicioni. Sidomos kurba e zhvillimit të industrisë së ndërtimit e dëshmon këtë. Vitet më të ethshme të rritjes së tij janë vitet 1999-2005. Një bum i mirëfilltë. Tani ndërtimi po ripërmasohet dhe kjo është e natyrshme që do të ndodhte. Po sipas studimit të përmendur më sipër, kërkesa konsumatore(e njerëzve për shtëpi dhe bizneseve për zyra) ka rënë ndjeshëm. Me rënien e kërkesës sektori i ndërtimit duhet të shikojë mundësi të reja, që nuk po i jepen. Kështu për shembull, firmat më të rëndësishme të ndërtimit tek ne duhet t’i hedhin sytë edhe Kosovës, e cila përbën sot një kantier të madh ndërtimi. Disa syresh kanë depërtuar në tregun kosovar. Ndoshta do t’ia vlente që qeveria jonë të kishte një program për firmat e ndërtimit të vendit, të cilat t’i mbështeste edhe me fonde garancie për punën e tyre ndërtuese (që është eksport për Shqipërinë) në trojet kosovare. Ndokush mund të thotë që ndërtimi jashtë vendit si dhe këtu është thjesht biznes privat dhe këtë firmat duhet ta bëjnë vetë, pa ndërhyrë qeveria. Në të vërtetë, mund të gjenden edhe nxitje publike e mënyra që eksporti i ndërtimit të ecë, pse duket që tregu vendas nuk është më ai i pari dhe ka mbushur një pjesë të kërkesës e etjes së tij të madhe për shtëpi apo zyra biznesi. Nga ana tjetër, kontrolli për gramaturën apo pikat e shitjes së bukës duhet kthyer në një aktivitet rutinë për strukturat tona fiskale, e jo thjesht një aksion demonstrues tani që buka u rrit aq fort dhe opinioni publik është kaq i ndjeshëm. Fitimi tregtar në shitjen e bukës nuk është dhe aq situatë monopol sa është fitimi në karburantet apo telefoninë celulare, apo edhe në tregun e kredive bankare. Nëse qeveria nis të “fusë hundët” në kuptimin e mirë, për të kryer kontrolle jo të përzgjedhura ndaj bizneseve dhe për të nuhatur fitimin abuziv monopolist, atëherë do të ndihej menjëherë lehtësimi tek barra e çmimeve në treg. Ulja e fitimit abuziv do të lehtësonte së pari qytetarët, ekonominë dhe inflacionin, por nuk do të ishte zgjidhje afatgjatë. Qeveria duhet të shërbejë si agjente e biznesit më serioz shqiptar për të kapur tregje të reja, që sektorë jetikë si ndërtimi apo shërbimet të mos hynë në krizë. Është e natyrshme një afrim i qeverisë me firmat kryesore të ndërtimit për projektet e mëdha të infrastrukturës. Për këtë nuk ka pse të ekzistojë më frika e simpative partiake të filan apo fistek firme, pse në lojë është mbarëvajtja e gjithë sektorit. Qeveria mund dhe duhet të nxisë partneritetin e firmave shqiptare të ndërtimit, me firmat e mëdha të huaja që afrohen për punët publike tek ne. Nëse këtë vit do të shkojnë rreth 600 milionë euro në investime në infrastrukturë, do të ishte me shumë përfitim që pjesën e luanit ta përftojnë firmat shqiptare, pse kështu paraja publike mbetet në Shqipëri dhe nuk riatdhesohet jashtë. Një politikë e tillë do të siguronte hapjen e qindra vendeve të reja pune në ndërtim, në vend që të vijnë me qindra specialistë të huaj dhe të bëjnë atë punë që mund ta bëjnë kolegët e tyre shqiptarë. Investimet tona publike duhet të shohin edhe interesin e tregjeve të biznesit privat shqiptar, pse zhvillimi spontan në sektorin e ndërtimit duket se ka mbaruar njëherë e përgjithmonë.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›