E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP, vaksinat e meningjitit dhe pneumonisë i shtohen kalendarit

Zgjerohet kalendari kombëtar i vaksinave që duhen bërë për fëmijët. Vaksina e meningjitit dhe pneunomisë, do të parandalohen përmes vaksinës Heamofilus Influenza tipi B, e cila është shtesa e fundit ne kalendarin e vaksinave që përcaktohet nga specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë. Përfshirja e vaksinës HIB në kalendar mundësohet nga GAVI (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin) përmes financimit prej 2.3 milionë dollarësh. Kjo shumë që i akordohet Shqipërisë, mbulon aplikimin e vaksinës për një periudhë 5-vjeçare, 445 mijë dollarë çdo vit si dhe një grant 100 mijë dollarë për implementimin e projektit. Vaksina HIB përfshin 3 doza dhe nuk ka nevojë për rivaksinimin. Një fëmijë do ta marrë këtë vaksinë fillimisht kur të jetë dy muajsh, dozën e dytë në moshën 4 muajsh dhe në moshën 6 muajsh do t'i nënshtrohet dozës së tretë. Sipas ISHP-së, vaksina ka një efikasitet prej 95 përqindësh ndaj sëmundjeve, fakt që nënkupton se 95 për qind e fëmijëve të vaksinuar i shpëtojnë sëmundjeve të rënda respiratore. Sipas Institutit, me këtë vaksinë skema e vaksinimit është pothuajse e kompletuar. Tre të katërtat e fëmijëve të globit janë të rrezikuar nga meningjiti dhe pneumonia. Në vendin tonë këto sëmundje respiratore akute zënë vendin e parë në vdekshmërinë foshnjore. Në Shqipëri brenda vitit mund të diagnostikohen deri në 800 raste të tilla, ndërsa numri i vdekjeve shkon deri në 74. Por, nga ana tjetër, një e treta e fëmijëve që arrijnë të mbijetojnë pas meningjitit paraqesin çrregullime të vazhdueshme si paraliza, vonesë në zhvillimin mendor, shurdhëri apo çrregullime përsa i përket të mësuarit.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›